Futboll

Lançohet projekti 1.5 mln euro në vit, Duka: Transformon futbollin shqiptar!

Gazeta Si – Me anë të një eventi-show në ‘Air Albania, FSHF lançoi sot projektin “Uniforma Ime”. Të pranishëm ishin mbi 8 mijë të rinj e të reja. Merrte pjesë Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, dhe ish-kapiteni i Kombëtares Mërgim Mavraj, ndërsa i ftuar special ishte ambasadori i UEFA-s, Zvonimir Boban.

Në këtë aktivitet u shpërnda baza materiale për disa klube dhe akademi, pasi ky është edhe vetë qëllimi i projektit. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në fjalën e tij theksoi:

Duka dhe Mavraj pozojne me femijet. Gazeta Si, 14 shtator 2022

“Jemi rritur dhe zhvilluar duke pasur në qendër të projektit tonë fëmijët, ekipet kombëtare dhe infrastrukturën. E ardhmja e një Kombi janë fëmijët dhe në futboll është e njëjta logjikë. Prandaj fokusi jonë kryesor dhe buxhetet tona më të mëdha prej vitesh alokohen te futbolli i bazës.

Ja ku jemi sot, në finalizimin e një projekti transformues për futbollin e fëmijëve. ‘Uniforma Ime’ nga sot është një realitet i prekshëm për 15 mijë fëmijë”.

Duka u shpreh gjithashtu se FSHF është një partner i madh i çdo familjeje shqiptare, që përballej me kosto të mëdha për të dërguar fëmijën e tij në futboll: “Projekti, me një kosto vjetore 1.5 milionë euro, financuar 100% nga buxheti i FSHF-së, sot bëhet i prekshëm, pasi po merrni në duar materialet. Projekti do të përsëritet në të gjithë sezonet e ardhshme”.

Ministrja e Arsimit e Sportit, Evis Kushi, u shpreh se kjo nismë e FSHF-së ka disa funksione: “Kjo nismë është shumë e bukur dhe ka disa funksione. Së pari i motivon më shumë fëmijët të merren seriozisht me sport. Ky projekt ndihmon prindërit apo familjet e tyre, duke i çliruar nga barra financiare. Po ashtu, është një nismë që na ndërgjegjëson të gjithëve për vlerat që ka sporti”.

Boban: Mesazh altruizmi për shoqërinë egoiste
Zvonimir Boban, ish-lojtari i shquar kroat që përfaqësonte UEFA-n në këtë event, foli për mesazhet që përcjell projekti: “Një përshëndetje të përzemërt të gjithë fëmijëve të Shqipërisë edhe nga presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin. Kjo që po ndodh është një mesazh i madh për të gjithë popullin shqiptar, nuk është çështje dhuratash për fëmijët, nuk është çështje e një veshjeje futbolli.

Zvonimir Boban, duke folur ne aktivitet. Gazeta Si, 14 shtator 2022

Mesazhi që përcjell FSHF është shumë më i madh, është të mendosh për të tjerët. Mesazhi është të mos izolohemi në futboll, mesazhi është që futbolli është sporti i popullit. Ky mesazh nuk ka çmim, sepse jetojmë të gjithë në një shoqëri gjithnjë e më të izoluar, gjithnjë e më egoiste, gjithnjë e më e orientuar nga vetja.

Ky është një mesazh altruizmi dhe përkatësie ndaj Shqipërisë si vend, përkatësie ndaj njerëzve të zakonshëm, që respektojnë dhe duan të tjerët dhe përmes futbollit mund të bëhen gjëra të mëdha”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë