Futboll

Lamtumirë Robert Jashari! Shuhet një ikonë e Kombëtares dhe Partizanit

Është ndarë sot nga jeta në moshën 83-vjeçare Robert Jashari, një emër i madh i futbollit shqiptar, i Kombëtares dhe Partizanit të viteve ’60-70.

Jashari është një nga figurat më të shquara të futbollit shqiptar, ku ka lënë gjurmë të paharruara me fanellën e kuqe të Partizanit, por edhe me Kombëtaren. Ai është shpallur 7 herë kampion i Shqipërisë me Partizanin. Po ashtu, Robert Jashari kujtohet për golin historik që i ka shënuar Irlandës së të famshmit Xhorxh Best.

Robert Jashari. Gazeta Si, 22 janar 2022

Tre kampionate radhazi, nga viti 1962 e deri në vitin 1965, Jashari është shpallur golashënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar. Ka qenë pjesë e Partizanit të lavdishëm, që fitoi medalje argjendi në Lajpcig në vitin 1958 dhe në Hanoi në vitin 1963.

Pas karrierës 15-vjeçare si futbollit, Jashari ka qenë edhe trajner i Partizanit. Klubi i kuq, pas lajmit të trishtë ka bërë një postim në faqen zyrtare, ku shpreh ngushëllimet për këtë humbje të madhe. Po ashtu, edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka bërë një postim ngushëllues për figurën e Jasharit.

Largohet nga kjo jetë edhe një tjetër ikonë e futbollit shqiptar vetëm pak ditë pas asaj të Ramazan Rragamit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë