Futboll

Lamtumirë Lenart Johanson! Ndahet nga jeta babai i Championsit modern

Bota e futbollit i jep lamtumirën Lenart Johansonit, ish-presidentit të UEFA-s, i cili është shuar në moshën 89-vjeçare, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Drejtuesi suedez njihet në botën e futbollit si promotori i Championsit modern, që lindi në vitin 1990, pikërisht në vitin e parë të presidencës së tij në organin më të lartë futbollistik europian. Qëndroi në këtë post deri në vitin 2007, duke u bërë kështu presidenti më jetëgjatë i të gjitha kohërave në UEFA.

Johanson ka lindur në vitin 1929, në Stokholm. Ai e nisi karrierën si drejtues në ekipin e zemrës, AIK Solna, para se të zgjidhej president i Federatës Suedeze të Futbollit në vitin 1984. E mbajti këtë detyrë deri në vitin 1991, kur erdhi hapi i madh drejt presidencës së UEFA-s. Një njeri me potencial të jashtëzakonshëm, i zgjedhur edhe president nderi i këtij institucioni. Falë punës së tij të madhe, ajo që më parë quhej Kupa e Kampionëve, u zgjerua dhe mori emrin që e njohim edhe sot, Champions League. Një kompeticion i nivelit më të lartë, ku luajnë futbollistët më të mirë të botës dhe që ndiqet nga miliona tifozë.

Në shenjë respekti për figurën e Lenart Johanson, do të mbahet një minutë heshtje para ndeshjeve të Ligës së Kombeve, para ndeshjeve kualifikuese të Europianit 2020 dhe para ndeshjeve të kombëtareve U-21 që luhen këtë fundjavë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë