Futboll

Lamtumirë Kielini dhe Dibala! Juve barazon me Lacion

Gazeta Si - Barazim 2-2 mes Juventusit dhe Lacios, në ndeshjen ku Kielini dhe Dibala janë ndarë me ekipin torinez. Bardhezinjtë në Champions, kurse Lacio shkon në Ligën e Europës.

Dushan Vlahoviç dhe Alvaro Morata shënuan fillimisht për Juventusin, miqtë barazuan me autogolin e Aleks Sandros dhe golin e Milinkoviç-Saviç në kohën shtesë.

Dibala i emocionuar ne momentin e nderrimit. Gazeta Si, 16 maj 2022

Paqe në ‘extremis’ në ‘Stadium’ mes Juventusit dhe Lacios në javën e 37-të të Serisë A. Skuadra e Alegrit dhe ajo e Sarrit barazuan 2-2 dhe Lacio siguron kështu matematikisht pjesëmarrjen në Ligën e Europës.

Në Torino rezultati u zhbllokua pas 10 minutash nga Vlahoviç, i cili shënoi në portën e Strakoshës. Dyfishimi erdhi në minutën e 36-të nga Morata. Në pjesën e dytë Lacio reagoi dhe baraspeshoi gjithçka me një autogol të Aleks Sandros dhe një gol të Milinkoviç-Saviç në minutën e 5-të shtesë.

‘Standing ovation’ në stadium për dy lojtarët që sot i dhanë lamtumirën Juventusit, Kielini dhe Dibala. Ishte ndeshja e tyre e fundit me fanellën bardhezi dhe gjithë stadium i nderoi me duartrokitje të gjata.

Kielini i jep lamtumiren Juves. Gazeta Si, 16 maj 2022

Kielini e nisi ndeshjen titullar dhe pas çerek ore lojë i la vendin De Ligt. Mbrojtësi i vendosi shiritin e kapitenit Diabalës dhe doli nga fusha mes përqafimeve të shokëve. Ishte ai ylli i mbrëmjes për Juventusin.

Mes emocionesh të mëdha la fushën 12 minuta para fundit edhe Paulo Dibala. Një tjetër lamtumirë nga bardhezinjtë. Prej kohësh sulmuesi argjentinas e kishte marrë vendimin për t’u larguar nga Juventusi në fund të sezonit.

Nga lojtarët e Kombëtares shqiptare sot luajti vetëm Tomas Strakosha në radhët e Lacios. Portieri kuqezi pritet të largohet nga Lacio në verë, ndërsa mbrojtësi shkodran, Elseid Hysaj, nuk luajti asnjë minutë në këtë ndeshje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë