Atletike

Lamtumirë Dick Fosbury! Shuhet atleti që shpiku teknikën e kërcimit së larti

Gazeta Si – Amerikani, fitues i medaljes së artë në Meksikë 1968, ishte i pari që futi teknik e kërcimit me shpinë, duke bërë një revolucion të vërtetë në këtë disiplinë.

Ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare Dick Fosbury, legjenda e sportit olimpik që revolucionarizoi përgjithmonë kërcimin së larti. Kampion olimpik në Meksikë 1968 me 2.24 metra. Prej tij ka marrë emrin 'Fosbury Flop', teknika me të cilën atleti kalonte stekën, duke rrotulluar trupin dhe duke rënë me shpinë.

Dick Fosbury gjatë një kërcimi. Gazeta Si, 14 mars 2023

Ajo teknikë më pas u bë e zakonshme për të gjithë sportistët e kësaj disipline. Lajmin e ndarjes nga jeta të Forbury e dha i pari ish-agjenti i tij, Ray Schulte, në Instagram. "Me dhimbje në zemër po jap lajmin se miku i vjetër Dick Fosbury ka ndërruar jetë paqësisht në gjumë. Legjenda e atletikës së lehtë la pas bashkëshorten Robin Tomasi dhe djalin Erich Fosbury”, - shkruan Schulte.

Menjëherë kanë vërshruar reagimet në rrjetet sociale. Atleti nga Trinidad Tobago, Ato Boldon, shkruan: "RIP 1968. Medalje ari olimpike dhe legjendë e kërcimit së larti. Ngushëllime familjes dhe miqve. I përjetshëm Fos”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë