Futboll

Lamtumira nga Reali, Kasemiro: Bëra historinë! Edhe Ançeloti në lot

Gazeta Si – Qan Kasemiro në konferencën e lamtumirës nga Reali. Lot edhe në sytë e trajnerit Karlo Ançeloti. Lojtari brazilian ka përshëndetur klubin, ku mbërriti në janar të 2013-ën dhe ku fitoi 18 trofe, mes tyre 5 Champions dhe 3 tituj në La Liga.

Ançeloti është në rresht të parë, ulur pranë Florentino Perez. Mallëngjehet nga "Kase", diçka i lëviz përbrenda dhe lotët rrëshkasin në fytyrën e tij serioze. Në futbollin e milionave, Ançeloti ka gjithmonë kode sentimentale që nuk kanë çmim.

Në moshën 30-vjeçare dhe me palmaresin plot, Kasemiro vendosi të provojë një sfidë të re. Për ta bërë të mundur këtë vendim, Mançester Junajtid i ka ofruar dyfishin e pagës.

“Statusi i tij si legjendë i ka dhënë të drejtën të zgjedhë,- ka thënë Florentino Perez. - Kasemiro është një mit në klubin tonë, tani shkon në një klub mik, një skuadër historike si Mançester Junajtid". Pas përshëndetjes institucionale, braziliani doli para gazetarëve.

"Zgjedhja për të shkuar te Junajtid nuk erdhi kështu papritur. Ka kohë. E ndjeja që për mua kështu kishte përfunduar një cikël. Këtë ia thashë presidentit pas finales së Championsit. Ai më tha të mendohesha dhe të flsinim pas pushimeve. Nuk ndryshova mendje", - u shpreh braziliani.

"Historia është shkruar, do të mbetet aty gjithmonë. Tani një sfidë e re, në klubin më të madh të Anglisë. Ndihem si një djalosh 18-vjeçar. Do doja të luaja që sot ndaj Liverpulit. Shkoj aty me entuziazëm. Po lë klubin më të madh në botë.

Në të ardhmen mund të kthehem te Reali. Kush thotë se po shkoj për lekë, nuk më njeh. Nëse do doja të fitoja më shumë, do të kisha ikur 4-5 vite më parë. E përsëris, historia u shkrua. Tani do provoj ta bëj me Mançesterin. Kristiano Ronaldo? Nuk kemi folur,” – shtoi më tej Kasemiro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë