Futboll

Lamtumira nga Barcelona, zbulohen kërkesat e çmendura të Mesit

Gazeta Si – Lamtumira e Lionel Mesit nga Barcelona vazhdon të diskutohet ende. Sipas ‘El Mundo’, argjentinasi kishte kërkesa të çmendura për klubin katalanas. Mes tyre një bonus 10 milionë euro, një skenë të rezervuar dhe fluturime private për të dhe familjen drejt Argjentinës.

Kanë kaluar dy vjet nga koha, kur Mesi nuk rinovoi me Barcelonën dhe më shumë se një vit nga kalimi te PSG. Çështja është rikthyer në vëmendje nga e përditshmja ‘El Mundo’, që ka zbuluar gjithë kushtet e lojtarit për zgjatjen e kontratës.

Lionel Mesi me fanellen e Barcelones. Gazeta Si, 21 shtator 2022

Mesi ka kërkuar një superbonus prej 10 milionë eurosh për firmën, një skenë të rezervuar në ‘Camp Nou’ për familjen e tij dhe të Luis Suarezit, një fluturim privat për gjithë familjen për festat e fundvitit dhe shumë gjëra të tjera.

‘El Mundo’ bën me dije se disponon e-mail-e dhe dokumentet e shkëmbyera mes Jorge Mesit (babait të lojtarit), avokatëve të familjes, atyre të klubit dhe ish-presidentit Bartomeu. Kërkesat përkufizohen si "brutale" dhe janë listuar në mënyrë të detajuar:

  • Kontratë deri më 30 qershor 2023, me mundësinë e zgjatjes së njëanshme nga lojtari;
  • Reduktimi 20% i pagës së sezonit 2020/21 të rikuperohej 10% në 2021/22 dhe një tjetër 10% në 2022/23, me interesa vjetore 3%;
  • Pagesë të shpërblimit të besnikërisë me interesa;
  • Skenë private për familjen Mesi dhe Suarez;
  • Avion privat për në Argjentinë për Krishtlindje për gjithë familjen;
  • Pagesat e prapambetura nga sezoni 2020/21, plus interesat në rast të prishjes së kontratës;
  • Bonus 10 milionë euro për firmën në kontratë;
  • Rritje page, në rast të rritjes së taksave;
  • Reduktim të klauzolës së prishjes së kontratës deri në 10 mijë euro;
  • Rinovim kontrate për Pepe Kosta (bashkëpunëtor klubi, që vitet e fundit u gati një asistent personal i Mesit);
  • Impenjimin e klubit për pagesën e Rodrigo Mesit (vëllanë) të të gjitha komisioneve.
  • Pjesa tjetër është histori. Akordi nuk u arrit asnjëherë dhe Mesi la Barcelonën me parametra zero, pas 20 vitesh te katalanasit. Lamtumira zyrtare u bë më 8 gusht 2021, në një konferencë shtypi, që mbeti në kujtesë për lotët e lojtarit.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë