Futboll

Lamtumira e De Rosit, “Olimpico sold out” dhe festë me djemtë e 83-shit

Për ndeshjen e fundit me fanellën e Romës të kapitenit Daniele De Rosi, stadiumi "Olimpico" do të jetë plot, apo “sold out”, siç thuhet kur shiten të gjitha biletat. Do të jenë të pranishëm në ndeshjen me Parmën të gjithë lojtarët e datëlindjes 1983 (mes tyre edhe ish-juventini Pepe), që 25 vite më parë kanë nisur të luajnë me De Rosin në ekipin e të rinjve të Romës.

Donin t'i bënin një surprizë De Rosit, duke e mbajtur të fshehtë, gjithçka, por në fund vendosën se është më mirë t'ia thonë që tani. Ndeshja e së dielës për Daniele De Rosin nuk do të jetë një festë deri në fund. Në shkallët e stadiumit "Olimpico" do të jenë të gjithë ata që nisën ëndrrën e futbollit bashkë me të 25 vite më parë. Tre janë emrat më të njohur: Simone Bekaçoli, sot video-analist i Romës, Simone Pepe, ish-lojtar i Juventusit, dhe Çezare Bovo. Pastaj edhe shumë të tjerë, që kush më shumë e kush më pak, kanë ndarë gjithë këto vite së bashku. Kanë një grup në Whatsapp, janë 19 vetë dhe të dielën do të jenë në stadium për të qenë pranë mikut të tyre në ditën më të gjatë dhe më të vështirë të karrierës. "Ne do të jemi për Danielen dhe jo për De Rosin", - ka thënë njëri prej tyre, Fabio Moreli, i cili ka shtuar: "Daniele ka luajtur 18 vite më të njëjtën fanellë. Me zemër ai e di që disa histori duhet të përfundojnë në karrierë. Daniele është një person serioz, një djalë inteligjent, e ka kuptuar çfarë është suksesi".

Një portret i De Rosit i piktutuar në mur nga tifozët në rrugët e Romës

Për ndeshjen e fundit të kapitenit nuk mund të gjesh më një biletë. "Olimpico" do të jetë i tejmbushur, ultrasit po bëjnë gati një koreografi speciale për mesfushorin, ndërsa në minutën e 90-të ai do të bëjë xhiron e lamtumirës rreth fushës. "Diçka fisnike", - thonë miqtë e tij. Kjo është ajo që kërkon Daniele dhe që Roma dhe romanistët do t'ia dhurojnë. Çështja e De Rosit ka marrë përmasa të jashtëzakonshme ditët e fundit, ka shkuar deri në parlamentin italian, ku deputetë të ndryshëm që simpatizojnë Romën, janë shprehur se do të mbështesin çdo iniciativë të tifozëve për të respektuar kapitenin, ndryshe nga sa po bën klubi.

Një episod interesant ka ndodhur në Holandë, ku një pronar restoranti e ka justifikuar shërbimin e dobët me fjalët: “Jemi në zi për De Rosin”. Ngjarja ka ndodhur në restorantin “Gustatio” të Groningenit në Holandë. Një klient, pasi darkoi në restorantin e pronarëve italianë, la një shënim për eksperiencën negative, duke shkruar: “Dukej si një ditë zie, pritje e ftohtë dhe shërbim i dobët, me siguri nuk do të kthehemi më”. Përgjigja e pronarit nuk ka vonuar: “Më vjen keq që nuk jeni ndjerë mirë te “Gustatio”. Në fakt, siç ju mund ta imagjinoni, largimi i Daniele De Rosit nga Roma ka bërë që të jemi të gjithë në zi. Pas 18 vitesh, 615 ndeshjesh dhe 63 golash, nuk është kjo mënyra për të trajtuar një nga lojtarët flamur të nivelit ndërkombëtar. Drejtuesit e Romës me këtë veprim kanë prekur pikën më të ulët të popullaritetit. Ndoshta është më mirë të largohen, që të mos sjellin ditë të tjera zije për tifozë të tjerë të Romës”, - shkruante ai.

Restoranti "Gustatio" në Groningen dhe komunikimi mes klientit dhe pronarit

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë