Kombetarja

Lajme të mira për Rejan, Çekiçi mesazh për kombëtaren e madhe

11 qershori po afron dhe Edi Reja duket se ka ndezur motorët për të përgatitur kombëtaren shqiptare për dy ndeshjet e radhës në eliminatoret e kampionatit europian. Tekniku kuqezi është parë ditën e djeshme në stadiumin “Selman Stërmasi” bashkë me ndihmësit e tij, Ervin Bulku dhe Hamdi Salhi për të ndjekur nga afër sfidën e Superiores, Tirana-Kastrioti.

Italiani pas ndeshjes do të thoshte se ka nisur të shikojë të gjithë lojtarët që janë në xhiron e kombëtares, por edhe të rinj që mund të afrohen. Sipas Rejas nuk mund të përcaktohet apriori mënyra dhe stili i lojës së kombëtares, por se kjo gjë do duhet të vendoset në varësi të lojtarëve që janë në dispozicion për çdo ndeshje.

Çekiçi në formë, gati për kombëtaren e madhe

Një lajm i mirë për trajnerin Italian në prag të startit të aventurës kuqezi vjen nga Sllovenia. Endri Çekiçi është duke bërë paraqitje shumë të mira me ekipin e Olimpija Ljubljana. Mesfushori pogradecar ishte njeriu i ndeshjes, pasi ishte ai autori i dy golave në ndeshjen, Rudar - Olimpija Ljubljana të mbyllur në shifrat 1-2. Çekiçi i ka dhënë kështu një fitore shumë me peshë ekipit të tij që ka siguruar biletën për në fazën eliminatore të Europa League. Kjo ndeshje ishte vazhdimi i një forme pozitive në dy muajt e fundit për Çekiçin, që ka bërë paraqitje shumë të mira me ekipin slloven. 5 gola dhe tre asiste në fazën e dytë me nënkampionët e Sllovenisë besohet se do të jenë të mjaftueshme për Çekiçin që të marrë një ftesë në kombëtaren e madhe. Çekiçi është një produkt i ekipeve zinxhir të kombëtare, madje në kombëtaren U-21 në disa në ndeshje në dy sezonet e fundit ka qenë kapiten.

Festojnë edhe “legjionarët e vegjël” të Lacios

Lacio pasi fitoi Kupën e Italisë, po fillon të korrë suksese edhe në sektorin e të rinjve. Skuadra ‘Primavera’ e Lacios ka fituar Serinë B për moshën e saj dhe tashmë është ngjitur në elitë. Protagonist në këtë sukses të ‘Lacios së vogël’ ishin edhe katër futbollistë shqiptar. Portieri Marko Alia, mbrojtësi Serxhio Kalaj, si dhe dy mesfushorët Emiliano Shoti dhe Galip Arapi aktivizohen me Lacion U-19 dhe kanë qenë pjesë bazë e ekipit që arriti këtë sukses. Siç shihet edhe në këtë foto të katër futbollistët shqiptarë e kanë festuar këtë triumf si shqiptarë të vërtetë, duke treguar flamurin kombëtar. Të katër futbollistët e Lacio Primavera janë pjesë ekipeve zinxhir të kombëtares shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë