Futboll

Lajme të këqija për Juventusin, sëmundja pengon Sarrin në startin e Serisë A

Fundjava e ardhshme sjell startin e sezonit të ri në Itali. Juventusi mbetet ekipi për tu mposhtur, me Napolin, Interin dhe të tjerat që do të përpiqen ta rrëzojnë nga froni “zonjën e vjetër’.

Por ende pa ngritur siparin ky kampionat i ri, Juventusi përballet me një problem shumë të madh. Trajneri, Mauricio Sarri nuk do mund të jetë i pranishëm në takimin e parë me Parmën. Shkak për mungesën e Sarrit në ndeshjen hapëse është gjendja e tij shëndetësore. Tekniku 60-vjeçar vuan nga bronkopneumonia dhe do duhet që këtë javë të merret me trajtimin e këtij komplikacioni shëndetësor.

Sarri kishte pasur disa shqetësime në fillim të muajit gusht, por gjendja nuk kishte qenë aq serioze dhe ai vijoi të punonte me ekipin për ta bërë gati për sezonin e ri. Por para tre ditësh gjendja e 60-vjeçarit u përkeqësua dhe pas vizitave në qendrën spitalore te Juventusit u mor vendimi se ai duhet të merrte regjim shtrati për të paktën një javë.

Sarri shpesh herë ka dalë në qendër të vëmendjes së medieve për sasinë e madhe të duhanit që konsumon. Llogaritet që 60-vjeçari arrin të pijë mbi 60 cigare në një ditë, çka shikohet si shkaku kryesor i bronkopneumonisë.

Mediet italiane janë ende të paqarta për të ardhmen e tij te Juventusi, teksa kanë filluar të ngrihen dyshimet e para mbi largimin e tij dhe marrjen e një tjetër trajneri që të mund të përballojë sezonin e gjatë dhe të lodhshëm që i pret bardhezinjtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë