I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak deklaroi sot përpara përfaqësuesve të vendeve anëtare të bllokut, se nuk pret që të arrihet ndonjë marrëveshje të shpejtë për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit. Ai po ashtu u ka thënë shteteve anëtare se nuk do të organizojë ndonjë raund të ri të bisedimeve, derisa në Kosovë të mos formohen institucionet e reja, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Lajçak ka folur para ambasadorëve në Komitetin e Politikës dhe Sigurisë, ku ka prezantuar punën e tij të deritashme, në një kohë që po afrohet fundi i mandatit të tij njëvjeçar. Ky mandat skadon në fund të muajt të ardhshëm dhe sipas burimeve diplomatike, ai pret që Këshilli i BE-së t’i japë një mandat të dytë.
Lajçak ka thënë se nuk mund të flasë më për afatet kohore për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, për shkak të situatës politike në Prishtinë dhe nevojën për formimin e institucioneve të reja. Lajçak, sipas këtyre burimeve, ka thënë se duhet pritur po ashtu që edhe Prishtina e Beogradi t'u tregojnë qytetarëve të vetë se çfarë kompromisesh janë të nevojshme për arritjen e një marrëveshjeje.
Por deklaratat e Lajçakut para përfaqësuesve të 27 vendeve janë shumë më të ndryshme nga premtimet e një viti më parë, në fillim të mandatit. Në atë kohë ai thoshte se nuk ka kohë për të humbur dhe se do të punojë për arritjen e një marrëveshjeje sa më shpejtë që të jetë e mundur.
“Është çështje muajsh e jo vitesh”, deklaronte ai.
Lajçak ka folur edhe për nevojën e bashkëpunimit mes BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ka konfirmuar se pret mbështetje për punën e tij nga administrata e re amerikane e presidentit, Joe Biden. Shumë përfaqësues të vendeve anëtare të bllokut europian, e kanë konsideruar si lehtësim të madh faktin se do të ketë një mbështetjen e Amerikës për dialogun. Madje Lajçak ka përmendur edhe termin “sabotim”, duke thënë se “tani nuk pret më sabotime nga Uashingtoni”, duke iu referuar aktiviteteve të ish-ambasadorit Richard Grenell, i cili ishte emëruar si i dërguar i posaçëm i ish-presidentit, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi.
Që nga muaji shtator i vitit 2020, nuk ka pasur më takime të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut. Edhe pasi ai kishte rifilluar në korrikun e kaluar, palët kanë pasur qëndrime të kundërta për shumë pika, sidomos rreth krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kosova ka refuzuar që të bisedohet për këtë temë, ndërkohë që Serbia ka insistuar që Asociacioni të formohet, pasi ka argumentuar se ky është një nga detyrimet e Marrëveshjes së Brukselit.
Bashkimi Evropian vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që ta zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin, duke rikujtuar se Kosova “ka marrë obligim për këtë edhe përmes miratimit të sajë në Kuvendin e Kosovës”. Lajçak ka thënë në këtë takim, se ai nuk do të rifillojë nga zeroja, por do të vazhdojë aty ku kanë mbetur me dialogun dhe kjo do të ndodhë pasi të krijohen institucionet e reja në Kosovë. /REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.