Kosova

Lajçak këtë javë në Kosovë e Serbi

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, gjatë kësaj jave, me gjasë nga dita e martë, do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë, në përpjekje për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës dhe për të bindur palët që të kthehen në dialog.

Kështu mëson Radio Evropa e Lirë nga disa burime diplomatike, ndonëse në BE ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht këtë vizitë.

Në Prishinë, Lajçak pritet të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.

BE-ja vazhdon të përsërisë thirrjet për të dyja palët që të bëjnë hapa të menjëhershëm për shtensionimin e situatës dhe të kthehen në dialogun për normalizimin e raporteve, që e ndërmjetëson Brukseli. Këto thirrje u bënë edhe gjatë samitit të fundit të liderëve të BE-së që u mbajt javën e kaluar në Bruksel.

BE-ja po kërkon tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave komunale në veri, paralelisht me tërheqjen e protestuesve serb. Po ashtu, blloku evropian po kërkon tërheqjen e kryetarëve të rinj nga ndërtesat komunale, shpalljen e zgjedhjeve në veri dhe zotimin publik të serbëve se do të marrin pjesë në votime.

Për shkak të mospërmbushjes së këtyre kërkesave, BE-ja ka nisur së zbatuari disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës. Por, në BE kanë thënë se “mbetemi të gatshëm të ndërmarrim masa edhe ndaj Serbisë nëse vlerësojmë se nuk po vepron sipas pritjeve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë