Kosova

Lajçak: BE pret marrëveshjen Kosovë-Serbi brenda mandatit “Kurti II”

 I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak i ka dërguar sot një mesazh të prerë Prishtinës, duke deklruar se pret që marrëveshja gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi të arrihet brenda mandatit qeverisës të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.

Pas një takimi me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, ai tha se dhe BE-ja pret zbatimin e programit elektoral të kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, por se partnerët ndërkombëtarë, BE-ja dhe SHBA-ja, presin edhe vazhdimin e dialogut.

“E kam thënë edhe në të kaluarën dhe e po e përsëris se ky proces do të mund të përmbyllet brenda disa muajve, nuk kërkon vite që të arrihet marrëveshja. Por, ne nuk jemi ata që po nxitojmë ose ata që e ngadalësojnë procesin. Janë Kosova dhe Serbia që vendosin se sa shpejtë duan të procedojnë. Nëse duan të takohen, ne jemi aty”, u shpreh Lajçak.

Ai ka uruar Osmanin dhe Kurtin për rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, duke theksuar se dialogu nuk është përgjegjësi vetëm e një ane politike.

“Dialogu do të vazhdojë, mesazhi im përfundimtar është ai i unitetit politik në Kosovë, dialogu nuk është përgjegjësi e një ane apo partie politike, por  e të gjitha partive”, ka thënë ai. “Unë do të takoj edhe partitë tjera politike dhe do të ju kërkoj mbështetjen për cështjen e dialogut”, ka thënë Lajcak.

Lajçak i siguroi po ashtu liderët e Kosovës se procesi i dialogut është në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara.

"Jam i lumtur të them se pas ardhjes së administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, ky bashkëpunim nuk mund të jetë më i ngushtë se kaq. Ne po punojmë në baza ditore, me partnerët tanë amerikanë”, tha zyrtari i BE-së.

Mirosllav Lajçak arriti të hënën në vizitën e tij zyrtare në Kosovë, duke e zhvilluar takimin e parë me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Pas fitores, ish-kryeministri deklaroi se dialogu me Serbinë nuk është në mesin e prioriteteve kryesore të qeverisë së tij, por pas takimit me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Kurti deklaroi se nuk e mohon rëndësinë e dialogut me Serbinë. Megjithatë, sipas tij, dialogu shtoi se ai duhet të jetë i përgatitur mirë dhe i sinqertë.

Kurti tha se “nuk është në presionin e kohës” dhe nuk dha datë se kur mund të rifillojë dialogu, edhe pse zyrtari i BE-së e ka paralajmëruar për të kundërtën.

Osmani premtoi nga ana tjetër se institucionet e reja do të angazhohen në dialog, por me një qasje të re, e cila, sipas saj, synim kryesor do të ketë trajtimin e barabartë dhe njohjen e ndërsjellë si akt final.

“Qasja e re nënkupton që ne nuk mund ta pranojmë që çështja e kufijve, sovraniteti, rregullimit kushtetues të Kosovës të bëhen pjesë e negociatave sepse ato negociata kanë përfunduar në vitin 2008, nën mandatin e Ahtisartit”, tha Osmani.

“Kosova ka bërë shumë koncesione, sa e kanë sjellë buzë jofunksionalitetit. Nuk është tema se çfarë mund të japë sërish Kosova, por se si BE-ja mund t’ua jap përfitimin Kosovës dhe Serbisë për anëtarësim në BE”, shtoi ajo.

Pas Kosovës, Lajçak do të vazhdojë vizitën në Serbi, nga 3 deri më 4 mars dhe gjithashtu do të vizitojë Malin e Zi si pjesë e mandatit të tij rajonal nga 4 deri më 5 mars.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë