Gazeta Si - Arrestimi i Laert Haxhiut në Greqi nuk ka qenë i lehtë për t’u realizuar nga policia e Janinës. Autoritetet greke kishin sinjalizime për një transport të paligjshëm emigrantësh nga vendet e Lindjes, pa e ditur se bëhej fjalë për të shumëkërkuarin e drejtësisë shqiptare.
Mediat greke kanë zbardhur detaje për arrestimin e Haxhiut, i dënuar me 18 vjet burg për masakrën e Lushnjës, ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha.
31-vjeçari shqiptar, u arrestua të hënën nga policia greke gjatë një ndjekje policore si në filma me aksion.
Sipas shtypit grek, Laert Haxhiu po udhëtonte me një makinë tip BMW X5, kur policia greke u vu në ndjekje të tij.
Mjeti ku ndodhej Haxhiu nuk i ndaloi policisë por tentoi të largohej. Gjatë ndjekjes policore me makina, makina e tyre u bllokua në një semafor të kuq dhe përplasi 3 mjete të tjera.
Në makinë me dy miq
Edhe dy personat e tjerë që ndodheshin me Laert Haxhiun u arrestuan. Ata janë të njohur për autoritetet greke, njëri prej të cilëve Juxhin Bajrami 35 vjeç, kushëriri i Marius Diamantit nga Delvina, i cili u vra në një karburant në Athinë dy vite më parë. Në atë kohë, 35-vjeçari vetë mbeti i plagosur.
Ka qenë pikërisht kushëriri i Mario Diamantit, raporton shtypi grek, shoferi i makinës BMW, ku ndodhej Laert Haxhiu. Ai kishte ardhur nga Athina për të marrë 31-vjeçarin shqiptar.
Edhe personi i tretë që udhëtonte në makinë me Laert Haxhiun, një 22-vjeçar shqiptar, është person i kërkuar nga autoritetet shqiptare për plagosje të rëndë me dashje. Tre të arrestuarve, policia greke u sekuestroi një shumë parash prej 1400 eurosh dhe 4 celularë.
Sipas mediave greke, policia nisi ndjekjen ndaj tyre nën dyshimet se po bëhej transport i emigrantëve të paligjshëm.
Laert Haxhiu i paraqiti policisë greke një dokument fals nën emrin e Mikin Askalidis 32 vjeç lindur në Gjeorgji.
Nga verifikimi i gjurmëve të gishtave, policia greke zbuloi se bëhej fjalë për një të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare.
Akuzat
32-vjeçari Laert Haxhiu ishte në kërkim që prej vitit 2017, kohë kur u dënua fillimisht nga Gjykata e Lushnjës me 18 vjet burgim për akuzën e vrasjes së mbetu në tentativë, si autor i një ngjarjeje në vitin 2016, ku mbetën të plagosur dy persona.
Gjithashtu, Laert Haxhiu, u shpall në kërkim si njeriu kryesor në atentatin ku mbetën të vrarë Zamir Latifi e Jurgen Hoxha, si dhe u plagos Marjus Xhepexhiu në tetor 2017 në Lushnjë.
Për këtë ngjarje, janë dënuar me burg perjetë, me vendim të formës së prerë në Shqipëri, Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi.
Sipas SPAK, dy viktimat në atentatin e tetorit 2017 njiheshin si lidhje e Xhulio Shkurtit, nipit të Aldo Bares, dhe se Shkurti ka qenë edhe objektiv i atentatit, ndërsa zanafilla e hakmarrjes lidhet me konfliktet e vjetra të "Bandës së Lushnjës" në vitet 1997-2000.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.