Futboll

Lacio blindon Igli Taren, kontratë deri në 2023 me dyfishim page

Igli Tare do të qëndrojë te Lacio, nuk do të shkojë te Milani. Drejtori sportiv i klubit nga Roma e ka pranuar ofertën e presidentit Kaludio Lotito për zgjatjen e kontratës, kuptohet me rritje rroge. Tashmë Paolo Maldini duhet të shohë pistat e tjera për drejtorin e ri sportiv, që janë ato të Masarës, Sartorit dhe Ostit.

Ditët e fundit është folur shumë për kalimin e mundshëm të Tares te Milani, pasi drejtuesi shqiptar konsiderohej personi adapt për klubin kuqezi. Edhe vetë Tare dukej i joshur nga ideja për të qenë drejtues i Milanit, por së fundi ka vendosur të pranojë ofertën e presidentit të Lacios për një kontratë të re deri në vitin 2023. Lajmi bëhet i ditur nga prestigjiozja italiane “La Gazzetta dello Sport”, që e bën fakt të kryer zgjatjen e bashkëpunimit Lotito-Tare, duke dhënë edhe disa detaje.

Ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë është bindur të vazhdojë me Lacion, pasi presidenti Lotito duket se ia ka plotësuar të gjitha kushtet. Në kontratën e re të Tares parashikohet një rritje e anës financiare deri në dyfishim të saj për të arritur në shifrën e 2 milionë eurove në sezon. Një shifër e konsiderueshme, natyrisht, që e ka bërë Igli Taren, një nga drejtuesit më të mirë sportiv në Itali, të vazhdojë projektin e nisur me Lacion. Milani i ka humbur përfundimisht shpresat dhe tashmë duhet të vlerësojë alternativat e tjera për drejtorin e ri sportiv, Masarën, Ostin ose Sartorin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë