Futboll

Laçi ‘blindon’ vendin e dytë, Dinamo thuajse e rënë nga Superiorja

Gazeta Si - Falë një penalltie 2 minuta para fundit të ndeshjes, Laçi ka mundur 2-1 Dinamon dhe ka ‘blinduar’ vendin e dytë në tabelën e renditjes. Kurbinasit, me 50 pikë, tashmë janë 5 pikë larg rivalëve të Kukësit. Në anën tjetër, Dinamo minimizon edhe më tepër shanset e qëndrimit në Superiore.

Laçi e nisi ndeshjen në avantazh. Pa u mbushur ende një minutë, Guindo kaloi ekipin e tij në avantazh, duke përfituar nga një hutim i mbrojtjes së Dinamos. Më pas Laçi pati edhe raste të tjera, ashtu si Dinamo, që ia doli të barazonte në pjesën e dytë me 19-vjeçarin Fejzulla.

Renditja e Superiores. Gazeta Si, 17 prill 2022

Fundi i ndeshjes ishte i mbushur me raste për të dyja skuadrat. Në një prej tyre Laçi fitoi një penallti, që u kthye në gol nga Zarubica. Lojtarët e Dinamos e kontestuan penalltinë, por edhe momentin e gjuajtjes së saj, pasi pati futje të lojtarëve në fushë dhe topi lëvizi nga era e forte që frynte gjatë gjithë ndeshjes.

Dinamo mbetet në kuotën e 23 pikëve dhe mund të thuhet se ka rënë në Kategorinë e Parë, edhe pse jo matematikisht. Trajneri italian Rodolfo Vanoli ende nuk ka marrë asnjë rezultat pozitiv në krye të ekipit kryeqytetas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë