Futboll

Ky ishte fundi, futbolli shqiptar është në “koma”!

Historitë me gangsterë të futbollit shqiptar, me armë, kërcënime arbitrash dhe kundërshtarësh në vitet e mëparshme, duke marrë si etalon 1997-ën, na janë dukur shpesh si legjenda urbane. Edhe pse ata që i kanë treguar kanë qenë vetë protagonistë të ngjarjeve të shëmtuara dhe i kanë vuajtur vetë në kurriz, sërish dukeshin si të pabesueshme. Megjithatë, të gjithë ata që kanë pasur dyshime për atë çfarë kanë dëgjuar për futbollin shqiptar, e kanë marrë përgjigjen të mërkurën me dy ngjarje që ndodhin vetëm në futbollin shqiptar.

Jemi në vitin 2019 dhe Vllaznia, një nga klubet me më shumë histori në vend, ndërpreu stërvitjen për shkak të kërcënimeve ndaj stafit teknik dhe drejtuesve të klubit. Disa orë më vonë, presidenti i një klubi të Superiores goditi kolegun e tij, madje, si në filmat aksion, e ndoqi me makinë deri në kryeqytet. Gjithçka e konfirmuar zyrtarisht. Ja pra, ato historitë me pistoleta në stadiume dhe me kërcënime dhe ndjekje makinash në rrugët e Shqipërisë, nuk paskan qenë legjenda! Janë histori të vërteta, të “justifikuara” deri diku nga koha kur kanë ndodhur, me tranzicionin e gjatë në realitetin shqiptar, por nuk ka asnjë justifikim për atë që po ndodh sot. Futbolli shqiptar ka prekur fundin, është në gjendje “kome”. Jo progres që nuk ka, por ka hapa prapa.

Momenti i sherrit mes Ngo të Tiranës dhe presidentit Laska të Laçit

Imagjinoni pak! Çfarë do të ndodhte në Itali, sikur fjala bie, Lotito, presidenti i Lacios, të ndiqte në autostradë me “X5” Xhejms Palotën, presidentin e Romës! Ta ndalonte dhe më pas të ziheshin me grushte… Apo sikur Perez i Realit në Spanjë të zihej me Bartomeun e Barcelonës! Si ka mundësi që dhuna në futbollin tonë vjen nga zyrtarët e klubeve?! Pak kohë më parë një skuadër e Superiores, nivelit më të lartë të futbollit shqiptar, u përjashtua nga aktivitetet dhe zbriti dy kategori më poshtë pikërisht për shkak të dhunës që presidenti i saj ushtroi ndaj arbitrit në përfundim të një ndeshjeje. Tani, një tjetër president bëhet protagonist dhune brenda ambienteve të stadiumit të ekipit kundërshtar, dënohet nga Komisioni i Disiplinës dhe vetëm pak ditë më pas sulmon fizikisht presidentin e atij ekipi. A janë këto çudi shqiptare pasojat e sistemit të kalbur të futbollit shqiptar? Sigurisht që po, por jo vetëm. Ky është një diskutim shumë i gjerë dhe përfundimi të çon në tezën e ish-kapitenit të Kombëtares shqiptare, Rudi Vata: në një vend që nuk ka shtet, nuk ka edhe futboll.

Ky është realiteti i futbollit shqiptar në vitin 2019. Për të vazhduar me çështjen “Vllaznia”, një histori unike shqiptare, ku formacionin e skuadrës nuk duhet ta bëjë trajneri, ai që është profesionist dhe që paguhet për këtë punë, por e bëjnë të fortët e qytetit, të cilët duket se kanë marrë peng një klub me histori të jashtëzakonshme dhe që prodhon talente pa fund dhe në çdo kohë. Për të mos folur për përjashtimin 10-vjeçar nga Kupat e Europës të ekipit që vitet e fundit ka diktuar futbollin shqiptar me disa tituj radhazi. Për të mos folur për atë që ndodh në kategoritë inferiore, ku dhuna është gjithmonë e pranishme dhe arbitrat korruptohen për “një paçe-pilaf”. Futbolli shqiptar ka prekur fundin, më keq se kaq nuk ka.

Disa stadiume që janë bërë dhe kualifikimi i Kombëtares në Europianin e Francës nuk mund ta mbulojë mjerimin dhe prapambetjen e futbollit tonë, tashmë në gjendje “kome”. Ngjarjet e së mërkurës i kanë vënë vulën përfundimtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë