Sociale

‘Kuvendi të hetoj dhunën ndaj fëmijëve në jetimore’

Gazeta Si- Organizata CRCA ka dërguar ditën e sotme (e premte) një kërkesë Kuvendit duke kërkuar që të ngrihet një Komision Hetimor Parlamentar për të hetuar çdo lloj forme të dhunës të ushtruar ndaj fëmijëve në Institucione Rezidenciale publike.

“Kërkesën po e bëjmë nisur nga rasti i datës 28 Shtator 2022 në Shtëpinë e Fëmijës “Vangjel Pulla” në Sarandë, ku edukatorja ka dhunuar fizikisht  tre fëmijë, dhe duke marrë nën konsiderate edhe shumë raste të tjera të mëparshme në institucione rezidenciale në të cilat janë konsistuar forma të abuzimit fizik dhe seksual”, shkruan CRCA.

Sipas drejtorit të CRCA i cili flet në emër të organizatës, ky hetim duhet të përfshijë përgjegjësitë institucionale dhe individuale të drejtueseve dhe stafit të këtyre institucioneve, si edhe rolin që kanë luajtur institucionet përgjegjëse shtetërore (Shërbimi Social Shtetëror / Policia e Shtetit etj) në mos raportimin e rasteve të dhunës apo shfrytëzimit të fëmijëve.

“Ne mirëpresim jo vetëm krijimin e këtij Komisioni Hetimor, mundësisht sa më të pavarur nga politika, duke rekomanduar edhe vendosjen e një personaliteti në fushën e të drejtave të fëmijëve (gjykatës, avokat, jurist, punonjës social etj) në krye të këtij komisioni, por nga ana tjetër jemi po aq të gatshëm të asistojmë dhe mbështesim punën e tij”, shkruhet në kërkesën e CRCA.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë