Politike

Kuvendi shqyrton me shpejtësi nismën e opozitës për ndryshimin e sistemit

Propozimet e opozitës për ndryshimet kushtetuese dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor për të hequr koalicionet, ndryshuar sistemin dhe vendosur pragun elektoral në 5 për qind po shqyrtohen me shpejtësi nga Kuvendi për të kapur afatin e hedhjes së tyre për votim më 30 korrik në seancë plenare.

Këtë të mërkurë u mbajt sërish mbledhja e përbashkët e Këshillit të Legjislacionit dhe e Komisionit të Ligjeve, ku u caktuan relatorët e grupeve parlamentare opozitare për këtë nismë dhe u prezantuan pyetjet e deputetëve për grupin e katër ekspertëve të Kuvendit.

Myslim Murrizi caktoi si relator nga grupi parlamentar demokrat deputetin Korab Lita, ndërsa deputeti Nimet Musai caktoi deputeten Edjola Braha nga grupi parlamentar i pavarur. Pas kësaj, mbledhja vijoi me pyetjet e deputetëve për ekspertët e Kuvendit. Nga mazhoranca një pjesë të këtyre pyetjeve i prezantoi kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja. Pyetjet e shumicës u përqëndruan më fort tek pjesa teknike dhe ndikimi i ndryshimeve të mundshme në sjelljen e elektoratit.

“Unë amendimet e opozitës i grupoj në 3 çështje, ndryshimi i sistemit zgjedhor duke kaluar nga vota për subjektin politik, tek një listë emrash, heqja e koalicioneve parazgjedhore, opsionet e krijimit të shumicave me koalicione paszgjedhore dhe vendosja e një pragu 5 për qind”, deklaroi për PS, Ulsi Manja.

Shqetësimi i mazhorancës është nëse pragu prej 5 për qind cenon të drejtën kushtetuese për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur dhe kërkon mendimin e ekspertëve nëse ky përcaktim duhet të vendoset në nivel Kushtetute, apo vetëm tek ligji zgjedhor.

Nga grupi parlamentar demokrat, Rudina Hajdari u dërgoi ekspertëve pyetjen se në çfarë mase adresohen rekomandimet e OSBE/ODIHR në propozimet e opozitës dhe nëse heqja e koalicioneve dhe pragu elektoral, a ka ndikim ne parandalimin e hyrjes në Parlament të personave me precedentë kriminalë.

Pjesa tjetër e opozitës parlamentare i përqëndroi pyetjet e veta tek vota e emigrantëve dhe kërkoi mendimin e ekspertëve mbi mundësitë praktike e ligjore se si mund të realizohet kjo votë.

Mbledhjet e përbashkëta të Këshillit të Legjislacionit dhe të Komisionit të Ligjeve do të vijojnë ditën e premte me seancën dëgjimore me përfaqësues të shoqërisë civile, të hënën me akademikët dhe të martën me institucionet shtetërore dhe partnerët ndërkombëtarë.

Copyright © Gazeta "Si"
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë