Politike

Kuvendi/ Katër interpelanca në rend dite, në fokus ‘KAYO’, porti i Durrësit dhe arsimi

Nga Gazeta ‘Si’- Në seancën e sotme plenare në rendin e ditës janë parashikuar katër interpelanca të kërkuara nga opozita, si dhe një sërë projektligjesh dhe diskutimesh parlamentare.

Një nga interpelancat kryesore është ajo e kërkuar nga Partia Demokratike me Ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, lidhur me krijimin, funksionimin dhe marrëdhëniet kontraktuale të shoqërisë ‘KAYO’.

Opozita ka ngritur gjithsej 22 pyetje që lidhen me rolin e ministrit, procedurat kontraktuale, kontrollin parlamentar dhe çështje të sigurisë kombëtare.

Një tjetër interpelancë e PD-së është me Ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, ku do të kërkohen sqarime për politikat dhe udhëzimet e fundit të ministrisë, me fokus të veçantë në licencimin dhe kualifikimin e mësuesve.

Ndërkohë, deputetët e Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj dhe Erald Kapri, kanë kërkuar interpelancë me kryeministrin Edi Rama për anulimin e tenderit të portit të ri të Durrësit.

Megjithatë, pjesëmarrja e kryeministrit mbetet e pasigurt, pasi ai ndodhet për një vizitë zyrtare në Itali, ku pritet të takohet me homologen Giorgia Meloni.

Të njëjtët deputetë kanë kërkuar gjithashtu interpelancë me zëvendëskryeministren Albana Koçiu, lidhur me miratimin e një leje ndërtimi të një resorti.

Përveç interpelancave, në rendin e ditës janë parashikuar edhe miratimi i procesverbalit të seancës së mëparshme, njoftime, si dhe shqyrtimi i disa projektligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë çështje që lidhen me energjinë, mjedisin dhe bashkëpunimin teknik me vende të BE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë