Kosova

Kuvendi i Kosovës pa kuorum për të votuar tërheqjen e parave nga Trusti

Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish të hedh në votim shqyrtimin e parë të projektligjit përmes të cilit synohet të lejohet tërheqja e 30 për qind të mjeteve nga Fondi Pensional i njohur si Trusti.

Votimi për këtë projektligj ishte vendosur në rend dite në seancën e 22 qershorit mirëpo për shkak të mungesës së kuorumit në Kuvend, seanca plenare u shty për të nesërmen.

Krijimi i mundësive ligjore, që qytetarët e Kosovës të tërheqin mjete të kursimeve të tyre nga Fondi i Kursimeve Pensionale ka shkaktuar debat në Kosovë, me argumente për dhe kundër.

Propozimin lidhur me këtë e ka bërë më 9 mars subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, përmes një projektligji të dorëzuar në Kuvendin e Kosovës.

Ajo u përkrah edhe nga subjekti tjetër opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës është shprehur kundër një tërheqjeje të mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale.

Në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur më 1 qershor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nëse Kuvendi voton për një tërheqje të re nga Trusti, ky do të ishte “rrënim” i kursimeve të qytetarëve.

Një hulumtim i Institutit GAP, ka konstatuar se nëse qytetarët e Kosovës do të tërhiqnin 30 për qind të parave që kanë grumbulluar në Fondin e Kursimeve Pensionale, i njohur si Trusti, atyre do t’u duheshin tetë vjet për t’i rikthyer këto mjete.

Sipas këtij hulumtimi, në rast se aprovohet ky ligj, Trusti obligohet që të fillojë procedurat për shpërndarjen e deri 594 milionë eurove, apo afër çerekun e mjeteve që ka nën menaxhim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë