Politikania më e votuar në historinë e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani, siguroi më në fund sot votat e deputetëve për t’u zgjedhur presidente, duke u bërë kështu kryetarja e dytë e shtetit të Kosovës.
Vjosa Osmani-Sadriu u zgjodh të dielën presidente e Kosovës me 71 vota pro, në raundin e tretë të votimit.
Në fjalimin e saj para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, menjëherë pasi u zgjodh në këtë pozitë, tha se sot është “ditë e Kosovës dhe demokracisë së saj”, duke shtuar se ky post e mvesh atë me përgjegjësi të madhe.
"Sot është dita kur vullneti juaj (i qytetarëve) i shprehur me 14 shkurt po jetësohet", tha ajo.
Në pjesë të fjalimit të saj Osmani-Sadriu, ua kushtoi vajzave dhe grave të Kosovës.
“Vajzat e kanë vendin vetëm aty ku ato vetë dëshirojnë, aty ku ato çdo natë ëndërrojnë, aty për çka punojnë me zell. Pa marrë parasysh nëse ëndërroni të bëheni presidente, juriste, ndërmarrëse, police, ushtare apo çdo profesion tjetër, që ua do zemra, mos e ndalni hapin tuaj kurrë, çdo gjë është e mundur e çdo ëndërr e juaja mund të bëhet realitet dhe për këtë duhet të besojmë bashkë fort. Do t’ju mbështes me gjitha mundësitë që kam e me gjithë qenien time”, tha Osmani.
Presidentja u bëri thirrje politikanëve në Kosovë, që të ndërtojnë kulturën politike të bashkëpunimit dhe tolerancës. "Nuk janë kohë të lehtë, sfidat janë të shumta veçanërisht ajo me pandeminë e cila kërkon që të bëhemi bashkë për ta luftuar", tha Osmani.
Ajo u zotua se do të mbrojë sovranitetin dhe integritetin e vendit.
"Sot zotohem para jush se do të punojë çdo ditë ta forcojë shtetin tonë, republikën e Kosovës, sundimin e ligjit, të garantojë mbrojtjen e lirive themelore njerëzore dhe jetës së dinjitetëshme për të gjithë. Sot zotohem se do ta mbrojë çdo pëllëmbë të Kosovës dhe do të angazhohemi pa kursim për të garantuar pacenueshmërinë e integritetit territorial institucional dhe sovranitetit të vendit", tha Osmani.
Prania fizike e më shumë se tetëdhjetë deputetëve mundësoi hapjen e seancës, por në kutinë e votimit u hodhën më pak vota se 80 vota. Sipas kushtetutës së Kosovës në votim për presidentin duhet të marrin pjesë dy të tretat e deputetëve të parlamentit 120 vendesh të Kosovës.
Kuvendi zhvilloi tre raunde votimi për zgjedhjen e presidentit, pasi në dy raundet e para, asnjëri nga kandidatët, nuk arriti të marrë 80 votat e nevojshme.
Në raundin e tretë, që njëri nga kandidatët të zgjidhet president, duhet të sigurojë të paktën 61 vota.
Në raundin e tretë të votimit mori pjesë edhe Adelina Grainca, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës. Ajo është e vetmja deputete nga kjo parti e pranishme në sallë. Gjatë seancës, ajo u ulë në pjesën ku ulen deputetët e LVV-së.
PDK-ja njoftoi se ka shkarkuar Graincën nga të gjitha funksionet partiake, pasi sipas kësaj partie opozitare, ajo "tradhëtoi votën e eletoratit të PDK-së dhe e shiti votën e saj për ta votuar Vjosa Osmanin për presidente".
Në raundin e dytë morën pjesë 82 deputetë. Vjosa Osmani mori 67 deputetë dhe kundërkandidati i saj Nasuf Bejta fitoi katër vota. Njëmbëdhjetë vota ishin të pavlefshme.
Ndërkaq, në raundin e parë Osmani fitoi 69 vota, 12 vota ishin të pavlefshme.
Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit, paraqiti dy kandidatura për këtë post: Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta, që kishte kandidat në listën e lëvizjes Vetëvendosje. Pjesëmarrja në votim e dy e më shumë kandidatëve, është e domosdoshme në mënyrë që të mund të fillojë procedura për zgjedhjen e presidentit.
Sipas Kushtetutës, në dy raundet e para të votimit duhen 80 vota, ndërsa në raundin e tretë, presidenti mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë sërish të paktën 80 deputetë.
Fillimi i seancës shënoi hapjen e procesit të zgjedhjes së presidentit duke përmbushur kriterin e kushtetues se “zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimi të mandatit të Presidentit aktual”.
Para nisjes së seancës, ushtruesja e detyrës së shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha shkurt për Radion Evropa e Lirë se kanë siguruar 80 votat për zgjedhjen e presidentit të vendit.
“Po janë siguruar votat”, tha Kusari-Lila.
LDK-ja akuzon LVV-në për "presion dhe shantazh"
Para nisjes së seancës, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi denoncoi, ato që i cilësoi si "presione, shantazhe dhe kërcënime" nga qeveria ndaj tre deputetëve të kësaj partie që nuk morën pjesë në votim, gjatë ditës së shtunë.
"Ne do të marrim pjesë në seancë, por nëse ky proces vazhdon ne do ta rikonsiderojmë qëndrimin tonë", tha Gashi.
Shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Kusari-Lila, pas mbarimit të seancës të shtunën, deklaroi se vendi mund të shkojë në zgjedhje dhe për këtë fajtorë, sipas saj, do të ishin tre deputetët e LDK-së: Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe Driton Selmanaj, që nuk votuan për presidentin.
Ndërkaq, më herët gjatë së dielës, Kusari-Lila tha se kanë siguruar votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të vendit.
“Do të jenë 80 apo 81 vota që do të numërohen për president të Kosovës”, tha Kusari-Lila.
Ajo shtoi se dy deputetë të komuniteteve joserbe do të jenë të pranishëm në sallë, duke aluduar në deputetin goran Adem Hoxhën dhe atë rom, Fadil Gashin.
Deputeti Haxhi Abdyli, i cili është deputet në kuadër të Listës së Osmanit, që garoi në listën e përbashkët me LVV-në foli për disa raportime se në këmbim të votës për president nga deputetët e komunitetet joserbe, i janë dhënë poste.
Por, ai tha se ka pasur keqkuptime të ndryshme që kanë ndodhur me disa deputetë, e që sipas tij janë zgjidhur, duke shtuar se kjo nuk ka të bëjë me ndonjë përfitim, por me mosinformim dhe “gjëra tjera”.
“Besoj se do të jetë një seancë e suksesshme është një ditë e mirë për demokracinë në Kosovë”, tha Abdyli para nisjes së seancës.
Lëvizja Vetëvendosje, nuk arriti të premten të sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave për të miratuar në procedurë të përshpejtuar ndryshimin e ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, kërkesë që u hodh papritmas duke nxitur shumë reagime e pakënaqësi të opozitës.
Madje Lidhja Demokratike e cila ishte zotuar se do të marrë pjesë në votimin për presidentin, tha se nuk do të ofrojë një mbështetje të tillë nëse nuk tërhiqet kërkesa e lëvizjes Vetëvendosje.
Të shtunën pasdite kërkesa u tërhoq duke bërë që në seancë të marrin pjesë edhe deputetët e Lidhjes Demokratike, por disa nga deputetët e saj nuk u përfshinë në votim, ndonëse ishin të pranishëm në seancë.
Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë hedhur poshtë mundësinë që të votojnë kandidaten e lëvizjes Vetëvendosje për këtë post, Vjosa Osmani.
Dështimi i zgjedhjes së presidentit do ta çonte vendin në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.
Që nga përfundimi i zgjedhjeve edhe diplomatët perëndimor kanë bërë thirrje që të shmanget një mundësi e tillë në një periudhë kur Kosova përballet me situatë të rëndë shëndetësore e ekonomike për shkak të pandemisë së COVID-19.
Para seancës ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, tha se “qëndrimi i qeverisë amerikane mbetet i pandryshuar. Ne mbështesim votimin në parlament. U bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të parlamentit të përmbushin përgjegjësitë e tyre ndaj popullit të Kosovës duke marrë pjesë në votim për të siguruar kuorumin”, shkroi ai.
Edhe diplomatë të tjerë perëndimorë bënë thirrje për pjesëmarrje në votim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.