Lajme

Kuvendi diskuton “Buxhetin 2019”

Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare në orën 10:00, ku në rend dite janë edhe diskutimet për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.

Në relacionin shoqërues, Qeveria parashikon që për 2019 deficiti buxhetor të ulet në 1.9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe nivel pozitiv bilanci primar me 0.5 për qind të PBB-së. Rritja ekonomike parashikohet nga ana e Qeverisë në nivelin 4.3 për qind, ndërsa parashikon gjithashtu uljen e papunësisë nën 12 për qind.

Gjatë shqyrtimit në Komisionin e Ekonomisë të projektbuxhetit dhe të paketës fiskale për vitin e ardhshëm nuk munguan tensionet dhe debatet brenda mazhorancës. Kryetari i Komisionit, Erion Braçe kërkoi rritjen e kufirit të pagës së patatueshme nga 30 në 40 mijë lekë të reja, ndërsa ministri i Financave, Arben Ahmetaj uljen e fashës mbrojtëse deri në 10 mijë lekë. Por, debati mes tyre u shua nga Kryeministri Edi Rama, që deklaroi se kufiri i patatueshëm nuk do të ndryshojë.

Opozita pritet që ta vijojë me bojkotin, ndërkohë që e ka konsideruar buxhetin e 2019-ës si më të dështuarin, për shkak të borxheve të mëdha që ka akumuluar qeveria me kontratat koncensionare dhe me skemat korruptive të partneritetit publik-privat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë