Nga Gazeta ‘Si’- Seanca plenare e kësaj të enjteje, pritet të dominohet nga debatet politike, pasi në agjendë janë përfshirë 9 interpelanca dhe një seancë pyetje-përgjigjesh me anëtarë të kabinetit qeveritar.
Opozita, njësoj si në mbledhjet e mëparshme parlamentare, këmbëngul që në sallë të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ndaj të cilit janë depozituar dy kërkesa për interpelancë.
Partia Demokratike kërkon sqarime nga kreu i qeverisë lidhur me zhvillimet demografike në vend dhe fenomenin e largimit të shqiptarëve, bazuar në statistikat që disponojnë institucionet shtetërore.
Nga ana tjetër, Partia Mundësia kërkon transparencë për ndryshimet që prekin funksionimin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, veçanërisht për kompetencat e reja që i lejojnë institucionit të negociojë marrëveshje me kompani fluturimesh, hotele dhe agjenci turistike përmes kontratave me elementë konfidencialiteti.
Në fokus të diskutimeve do të jetë edhe ministrja e Shëndetësisë Evis Sala, ndaj së cilës janë paraqitur dy interpelanca nga deputetët Sajmir Korreshi dhe Erisa Xhixho, si edhe një seancë pyetje-përgjigjesh e kërkuar nga deputeti Erald Kapri.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi do të përballet me dy interpelanca të iniciuara nga deputeti socialist Erion Braçe. Njëra lidhet me standardet dhe cilësinë e materialeve të përdorura në ndërtimet e banimit, kryesisht për fasadat dhe instalimet e brendshme, ndërsa tjetra ka të bëjë me ecurinë e projektit për përmirësimin e kanalizimeve të Tiranës së Madhe, financuar nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA).
Një tjetër përballje parlamentare është kërkuar nga Erald Kapri dhe Agron Shehaj me ministrin e Bujqësisë Andis Salla. Po ashtu, deputetja Ina Zhupa ka kërkuar interpelancë me ministren e Arsimit Mirela Kumbaro.
Ndërkohë, Kuvendi pritet të shqyrtojë edhe ndryshimet në rregulloren parlamentare, një çështje për të cilën mazhoranca dhe opozita duket se kanë arritur kompromis dhe kanë rënë dakord ta miratojnë me votë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje