Politike

Dy arsyet/ Kushtetuesja voton pro marrëveshjes me Italinë për emigrantët (raporti i votave 5-4)

Gjykata Kushtetuese votoi të hënën 5-4 në favor të marrëveshjes “Rama- Meloni”.

Pak javë më parë, grupi i deputetëve të Gazment Bardhit dhe Rithemelimit, por edhe Partia Demokratike depozituan dy padi në Gjykatën Kushtetuese ku kërkonin shfuqizimin e saj pasi sipas tyre binte ndesh me ligjin themeltar të shtetit shqiptar.

Gjykata Kushtetuese bëri publike mbasditen e të hënës edhe arsyet e marrjes se këtij vendimi që përmbledhtas përfshihen në dy:

Së pari, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se Protokolli për Migracionin nuk cakton kufij territorialë dhe as nuk ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, ndaj ai nuk përbën marrëveshje që ka të bëjë me territorin në aspektin fizik.

Së dyti, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se në dy zonat, që vepron Protokolli për Migracionin, zbatohet e drejta shqiptare, përveç të drejtës italiane.

Ajo konstatoi se e drejta ndërkombëtare e detyrueshme për Republikën e Shqipërisë, që lidhet me çështjet e migracionit dhe azilit është po ashtu e zbatueshme edhe nga autoritetet italiane për shkak të ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare edhe prej Republikës së Italisë.

Nën këtë analizë, Gjykata nuk vuri në dyshim ekzistencën e përgjegjësisë së shtetit shqiptar për çështjet që rregullon Protokolli për Migracionin, e cila sipas saj buron jo vetëm nga normat kushtetuese, por edhe nga e drejta ndërkombëtare që rregullon përgjegjësinë e shteteve në kuadër të zbatimit ekstraterritorial të saj. Në këtë pikëpamje, Gjykata Kushtetuese konstatoi se për të drejtat dhe liritë e njeriut vepron një juridiksion i dyfishtë, që do të thotë juridiksioni italian në dy zonat në fjalë nuk përjashton juridiksionin shqiptar.

Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin tjetër se Protokolli për Migracionin nuk përfshihet në kategorinë e marrëveshjeve ndërkombëtare

Gjykata vlerësoi gjithashtu në përfundim se Qeveria Shqiptare kishte plotfuqitë e duhura për negociimin dhe nënshkrimin e Protokollit në fjalë.

Më 13 dhjetor, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim kërkesën e bërë nga 30 deputetë të grupit Berisha-Bardhi lidhur me marrëveshjen Itali-Shqipëri, e cila konsiderohej nga ata anti-kushtetuese.

Marrja në shqyrtim e kërkesës nga Gjykata Kushtetuese, solli automatikisht pezullimin e ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend, gjë që ishte planifikuar të bëhen në seancën plenare të 14 dhjetorit.

Drafti për marrëveshjen për emigrantët, u miratua në Qeverinë italiane në 5 dhjetor dhe u dërgua në parlamentin italian për miratim.

Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve.

Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre.

Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë