Mjedis

Kush tha se pandemia mund të ndalojë dëmtimin e natyrës?

Sot është Dita Ndërkombëtare e Biodiversitetit, një ditë që synon të rrisë ndërgjegjësimin e njerëzve për të kuptuar më shumë për biodiversitetin. 22 maji ka si temë kryesore globale integrimin dhe mirëmbajtjen e ekosistemeve duke i kushtuar rëndësi mbështetjes që individët mund t’i japin natyrës.
Biodiversitet është një ndër problemet më madhore në botë. Pasi shumë ekosisteme natyrore po kërcënohen në zhdukje. Përreth 50 viteve të fundit veprimtaria e njeriut e ka ndryshuar biodiversitetin në çdo themel të saj. Në këtë kohë janë zhdukur 12 % e shpendëve, 23 % e gjitarëve, 25 % e haloreve dhe 32 % e gjallesave në ujë.

Olsi Nika

Por si ka ndikuar pandemia në biodiversitetin e Shqipërisë? Olsi Nika, drejtor i "Eco Albania", një organizatë në mbrojtje të natyrës shqiptare, tregon për Gazetën “Si” se përgjatë periudhës së pandemisë, ritmi i jetesës ka sjellë deri diku uljen e ndotjes dhe ky nuk është një fenomen vetëm shqiptar por edhe global. Ai shprehet se nuk mjafton një muaj për të rikuperuar dëmin e një shekulli.
“Megjithatë mjafton për ta parë se sa elastike dhe se sa e rikthyeshme është të respektojmë limitet e natyrës, ligjësitë e natyrës, që ajo të rikthehet edhe një herë në gjendjen e vet, në ekuilibrin e vet, në mënyrë që ne të marrim shërbime prej natyrës në atë formë që natyra mund të na i japë. Sigurisht që jo në të gjitha aspektet ne e kemi lënë të qetë natyrën. Përshembull, ndërtimi i hidrocentraleve ka vijuar edhe me vrullshëm në vijimin e pandemisë. Përshembull, rasti i ndërtimit të hidrocentralit në Parkun Kombëtar të Zall-Gjocaj është një rast flagrant të cilin e kemi denoncuar me aq sa kemi mundur nëpër media, nëpër rrjete sociale, me çdo dritare që mund të përcillet informacioni”, shprehet Nika për Gazetën “Si”.
Ai shpjegon se "Eco Albania" u ka kërkuar autotiteteve që të marrin masa për sa i përket vendimit për ndërprerjen e punimeve. Nëse është e vërtetë që ndotja është ulur, shkarkimet e makinerive me çimento dhe rritja e turbullimit të ujit në Parkun Kombëtar të Zall-Gjocaj, janë shtuar. Projekte të tjera infrastrukturore gjithashtu nuk kanë ndalur kur njerëzit kanë qenë të izoluar.

Larmia e ekosistemeve dhe habitateve në vendin tonë ofrojnë një shumëllojshmëri të lartë të llojeve të bimëve dhe kafshëve. Gjithashtu Shqipëria shquhet për një diversitet të lartë të burimeve dhe llojeve të ekosistemeve. Të dhënat nga organizata të ndryshme mjedisore në vendin tonë, kanë treguar se rriten 400 lloje bimësh, të cilat mund të gjenden edhe në Ballkan.
Nika i tha Gazetës “Si” se kohët e fundit kemi hasur një pakësim tek dy gjallesa, shpendë, si Kali i Qyqes edhe lejleku. Të cilat për ne mbeten ende të rralla. Nikaj shpjegon se janë disa faktorë që sjellin këtë fenomen.
“Zhdukja e Kalit të Qyqes vjen nga pjesa e helmimit me qëllim që bëhet nga barinjtë, të cilët mendojnë gabimisht sy ky lloj shpendi grabitqar mund sulmojë të vegjlit e deleve. Por ky lloj shpendi ushqehet me kërma me specie të ngordhura, që do të thotë se ai pastron mjedisin nga kërmat.

Gjithashtu humbja e habitatit vjen edhe nga ndërtimi i hidrocentraleve. Lugina e Vjosës është vend-folezimi i këtyre shpendëve dhe nëse aty ndërtohen hidrocentrale, ky do të jetë edhe fundi i Kalit të Qyqes", tregon eksperti. Sipas tij, fushata për mbrojtjen e Luginë së Vjosës ka bërë bashkë një sërë grupesh interesi, me përjashtim të qeverisjes.
Për të mbrojtur biodiversitetin, Nika thotë se e vemja gjë që duhet të bëjmë është të dëgjojmë zërin e arsyes dhe shkencës.
“Patjetër që do të merren vendime të duhura që do të zgjasin në kohë dhe do të jenë në përfitim të Shqipërisë dhe brezave që do të vinë. Por ne po punojmë që brezat e ardhshëm të marrim vendime duke pyetur, shkencën, arsyen, dijen”, thekson drejtuesi i "Eco Albania".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë