Politike

Kush mund të kthehet në Shqipëri. PD: S’ka asnjë plan të Qeverisë

Riatdhesimi i shqiptarëve është tematika e re e përplasjes mes Qeverisë dhe opozitës. Qeveria ka deklaruar se nuk bëhet fjalë për një operacion masiv dhe ka vendosur tre kritere se kush përfiton nga riatdhesimi përmes fluturimeve të posaçme të “Air Albania”.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Transportit, Belinda Balluku tha se kategoria e parë që përfiton janë studentët shqiptarë në Europë që jetojnë nëpër konvikte. Kategoria e dytë do të jenë rastet humanitare, ku përfshihen të gjithë ata shtetas shqiptarë që mbyllja e kufijve i ka gjetur në vendet europiane për çështje kurimi shëndetësor.

Kategoria e tretë është edhe ajo që ka më shumë persona e ku përfshihen të gjithë qytetarët shqiptarë, banues në Shqipëri, por që në momentin e mbylljes së kufijve janë ndodhur jashtë Shqipërisë.

Belinda Balluku, Ministre e Energjisë, Transportit dhe Infrastrukturës

Jo të gjithë personat që i përkasin kësaj kategorie do të rikthehen.

“Do të kthehen raste që kanë një arsye shumë të fortë për t’u rikthyer. Nëse dikush ndodhet në shtëpinë e tij në Itali në këto momente më mirë të qëndronte, sesa të kthehej në Shqipëri duke rritur probabilitetin e përhapjes së koronavirusit në Shqipëri”, deklaroi ajo.

Balluku garantoi se personave që do të riatdhesohen do t’u kryhen imtësisht kontrollet shëndetësore në aeroportin e Rinasit si dhe do të detyrohen që të qëndrojnë në karantinë për 14 ditë.

Por, Partia Demokratike thotë se Qeveria nuk ka asnjë plan dhe strategji për rikthimin e qytetarëve shqiptarë në atdhe. Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë i PD-së, Arben Kashahu doli në një konferencë për shtyp ku si provë për mungesën e një plani riatdhesimi paraqiti një mesazh, që sipas tij, është dërguar nga Konsullja e Përgjithshme e Shqipërisë në Itali, Anila Pojani.

Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë i PD-së, Arben Kashahu. Gazeta Si, mars 2020

“Anila Pojani i ka kthyer një qytetari me sëmundje të rëndë, i mbetur në Itali pas një operacioni të vështirë. Përgjigja ështe e datës 27 mars. Aty thuhet se “për qytetarët e Italisë nuk ka plan aktiv për t’u kthyer.” Siç shihet, 2 javë pasi ka mbyllur kufijtë me Italinë, shteti shqiptar nuk ka një plan konkret riatdhesimi për shqiptarët e ndodhur në Itali, apo në vende të tjera”, tha Kashahu.

PD i cilëson antikushtetuese, cinike dhe të papranueshme arsyetimet që jep Kryeministri Edi Rama në lidhje me qytetarët që nuk përfitojnë dot nga fluturimet e posaçme të riatdhesimit.

“Nuk ka më vende”, është togfjalëshi më braktisës me të cilin u është drejtuar shqiptarëve ndonjëherë një Kryeministër. “Listat janë bërë prej kohësh” ,“vendet janë mbushur” janë togfjalëshat më diskriminues që evokojne diferencimin mes qytetarëve të një shteti, ditët që kërkohet më shumë se kurrë solidariteti njerëzor e kombëtar”, vijoi Kashahu.

Zyrtari i PD-së thotë se as arsyetimi se nga riatdhesimi mund të shtohen rastet me koronavirus në vend nuk mund të qëndrojë.

“Nëse Kryeministri apo kushdo kërkon ta shesë braktisjen e qytetarëve shqiptarë jashtë kufijve si një “mbrojtje të Shqipërisë nga ata”, i kujtojmë atij se ata janë Shqipëria, ata janë ne, janë motrat, vëllezërit, fëmijët, prindërit tanë, të cilët nuk i braktisim as në të mirë e aq më pak në të keq. Ndërkohë ballafaqohemi me një qendrim arrogant e jo-njerëzor të kryeministrit në kufijtë e absurdit. Ky absurditet merr përmasa krimi shtetëror për faktin se qeveria I ka të gjitha mundësitë për të realizuar këtë operacion shtetëror. Kjo është dita kur vendi ka më shumë nevojë për të përdorur shërbimin e ambasadave dhe të linjës ajrore shtetërore “Air Albania”, mbyll reagimin e tij zyrtari i PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë