Shendet

Kush i mbron fëmijët nga përmbajtjet seksuale në internet?

Në Britaninë e Madhe, një prej vendeve me siguri të lartë të lundrimit në internet është ngritur alarmi në lidhje me fenomenin që po përhapet me shpejtësi, ku fëmijë të moshës deri në 11 vjeç postojnë në rrjete sociale video me përmbajtje seksuale për më shumë pëlqime. Fenomeni ka vënë në lëvizje shoqata, fondacione, organizata dhe strukturat shtetërore në përpjekje për heqjen e të gjitha materialeve të tilla nga interneti dhe ndërgjegjësimin e prindërve të fëmijëve.

Po në Shqipëri, që renditet ndër vendet e fundit në Europë sa i takon sigurisë së lundrimit në internet, kush i mbron, vëzhgon dhe mban larg fëmijët tanë nga fenomene të ngjashme? Shoqata dhe organizata të ndryshme vendase dhe ndërkombëtare që operojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve kanë ngritur ndër vite shqetësimet e tyre, të shoqëruara shpesh edhe me rekomandime dhe detyra të posaçme për organet shtetërore.

I fundit i rekomandimeve është dhënë nga Qendra për të Drejtat e Fëmijëve, që në muajin shkurt u kërkoi deputetëve të ndërhynin tek Kodi Penal për të përcaktuar qartë krimet dhe ndëshkimit online ndaj fëmijëve. Por, rekomandimet nuk u morën parasysh dhe nuk u reflektuan tek ndryshimet e fundit të Kodit Penal.

Altin Hazizaj, drejtues i kësaj qëndre thotë për Gazetën “Si” se më tepër se ndryshimet në Kodin Penal, tashmë ka nevojë për hartimin e një ligji të ri për mbrojtjen e fëmijëve nga interneti duke nënkuptuar se ndërhyrjet në ligjin e vitit 2017 për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve janë të pamjaftueshme.

Ndryshimet e bëra me rekomandim të Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve bëjnë përgjegjës çdo person madhor, që nga prindërit, kujdestarët dhe persona të tjerë që janë në kontakt me të miturit për mbrojtjen e tij nga materialet me përmbajtje të dëmshme, ose të paligjshme në internet.

Në një studim të kryer disa vite më parë, “World Vision” vëren se mosha mesatare kur fëmijët shqiptarë aksesojnë internetin ishte 14 vjeç, katër vite më e lartë se mesatarja e moshës që binin në kontakt me internetin në vendet e BE-së.

Diferenca në vetvete nënkupton prapambetjen digjitale të shoqërisë shqiptare në krahasim me atë të vendeve të zhvilluara europian, por “World Vision” sheh edhe anën pozitive; sa më pak akses interneti për fëmijët, aq më të vogla mundësitë e abuzimit me ta në botën online.

Por, i njëjti studim paralajmëron se brenda pak vitesh kjo mund të ndryshojë dhe për më tepër vëren se telefoni është pajisja ku mbi 60 për qind e fëmijëve shqiptarë kishin akses në internet, përkundër trendit në vendet e Bashkimit Europian, ku mbi 60 për qind e fëmijëve lundrojnë përmes kompjuterave, apo tabletëve të monitoruar nga prindërit e tyre.

Studimi del me një mori rekomandimesh, që nga hartimi i një kuadri të ri ligjor, e deri tek ndryshimet në Kodin Penal e Kodin e Procedurës Penale duke ndërhyrë për të përcaktuar dhe parashikuar qartë ndëshkimet, mes të cilave edhe ajo e përhapjes së videove me përmbajtje seksuale nga minorenët. Shembujt që sugjerohen janë ato të përshtatura nga vendet e Bashkimit Europian, ku në raste të tilla nuk mund të ndëshkohen të miturit, por përgjegjësit që u mundësojnë atyre aksesin dhe përhapjen e materialeve të papërshtatshme.

Nisur nga këta shembuj u bënë disa propozime dhe në një nivel minimal janë zbatuar një pjesë e tyre. Mes tyre është edhe detyrimi i kompanive të shpërndarjes së internetit (ISP-Internet Service Provider), që të ndërtojnë filtra mbrojtës për minorenët. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ngarkohet për zbatimin e këtyre detyrimeve. Megjithatë, në terren filtrat e detyrueshëm ekzistojnë pak.

Vend-lidhja me internetin e fëmijëve, diferenca mes Shqipërisë dhe BE tek Internet Caffe është shqetësuese. Gazeta Si, 29 shtator 2019

Por, megjithëse në muajin shkurt Parlamenti dëgjoi përfaqësues të Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, propozimet e tyre për ndërhyrje në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale për të saktësuar këto krime u shpërfillën dhe nuk u reflektuan në ndryshimet e fundit që ky kod pësoi gjatë verës.

“Nuk u pasqyruan. Ne tani kemi arritur në përfundimin se duhet një ligj i veçantë për mbrojtjen e fëmijëve”, thotë për gazetën “Si”, drejtori i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, Altin Hazizaj.

Kjo qendër, së bashku me partnerë ndërkombëtarë dhe aktorë vendas ka ngritur platformën online iSigurt.al. Në këtë platformë, prindër dhe të rinj me akses në internet mund të raportojnë në mënyrë të hollësishme një përmbajtje që në këndvështrimin e tyre është e papërshtatshme dhe bashkë me përmbajtjen në fjalë, që mund të jetë, tekst, foto apo video raportohet edhe faqja, apo personi që e ka shpërndarë.

Kjo është njëra nga rrugët e denoncimit, ndërsa tjetra është ajo përmes telefonit në numrin 116. Problematikat më të mëdha burojnë nga rrjetet sociale. iSigurt.al thotë se ka një marrëveshje bashkëpunuese me Facebook, që reagon relativisht shpejt në momentin që nga kjo qendër i raportohet një përmbajtje e papërshtatshme për fëmijët, ndërkohë që është në bisedime për një bashkëpunim të ngjashëm edhe me Instagram.

Në raportin e parë kombëtar, që mbulon periudhën kohore nga 2016 deri në 2018, Qëndra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve thotë se ka marrë mbi 200 denoncime. Mes këtyre rasteve ka edhe nga ato me përmbajtje të fortë seksuale.

“Ka edhe denoncime të tilla, por raportimet janë konfidenciale dhe ne nuk mund t’i bëjmë publike”, thotë për Gazetën “Si” Altin Hazizaj.

Numri i rasteve mendohet të jetë shumë herë më i lartë, duke patur parasysh mentalitetin e shoqërisë shqiptare për të mos denoncuar problematika të tilla, por edhe mungesën e kulturës së navigimit të sigurtë.

Platformat ku të miturit bien më shpesh në kontakt me përmbajtje të papërshtatshme për moshën e tyre janë Instagram dhe Youtube.

Në ndryshim nga vendet e Bashkimit Europian, në Shqipëri ka një risk më të lartë që buron nga kontaktet dhe sjellja.

Ekspertë IT, sociologë dhe psikologë thonë për gazetën “Si” se përballë vrullit të përhapjes së teknologjisë dhe botës online, masat e ndërmarra nga institucionet janë gjithmonë të pamjaftueshme dhe kjo jo vetëm në Shqipëri.

Ata thonë se mbrojtja më e mirë janë prindërit, që duhet të shoqërojnë gjithmonë fëmijët e tyre gjatë lundrimit në internet dhe sidomos të mos u japin në dorë pajisje që lidhen me internetin, të paktën pa mbushur 14 vjeç.

Pikërisht në këtë moshë edhe vetë vajza e Bill Gates është pajisur me një telefon, të paktën sipas rrëfimit të vetë themeluesit të Microsoft në një postim të bërë në blogun personal disa muaj më parë. Shembuj të ngjashëm ka plot mes miliarderëve hi-tech.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë