Kombetarja

Kush është Arbër Hoxha, ‘binjaku’ i Jasir Asanit që intrigon trajnerin Silvinjo

Gazeta Si – Arbër Hoxha është futbollisti më i ri që do të veshë fanellën kuqezi. Ai i përket repartit të sulmit, ku trajneri Silvinjo ka lojtarë më shumë se në të gjithë repartet, aq sa këtë herë iu desh të linte jashtë Dakun dhe Mujën.

Po pse Hoxha e intrigon kaq shumë trajnerin brazilian të Kombëtares shqiptare? Shpjegimi mund të jetë i thjeshtë: Hoxha është një kopje, ose një ‘binjak’ i Jasir Asanit, por në krahun tjetër të fushës. Futbollisti 25-vjeçar luan në të majtë dhe me karakteristikat teknike që disponon, duket më e i përshtatshëm se Uzuni dhe Seferi, të cilët janë aktivizuar në këtë pozicion.

Hoxha dhe Silvinjo

Arbër Hoxha është nga ata ‘uingera’ (sulmuesit e krahut në futbollin modern), që depërton nga krahu drejt qendrës dhe pastaj gjuan portën. Njësoj siç bën Asani nga krahu tjetër dhe kujtojmë që me golat e këtij të fundit Shqipëria siguroi kualifikimin në Europianin e Gjermanisë. Hoxha, po ashtu si Asani, ka marrëdhënie të mira me portën kundërshtare.

Duke pasur dy sulmues krahu me natyrë të njëjtë, si dyshja e famshme Roben-Riberi te Bajerni pak vite me parë, skuadra mund të bëhet më e rrezikshme në fazën sulmuese. Me siguri Silvinjo këtë ka pasur në mendje, kur është vënë pas lojtarit që luan me Dinamon e Zagrebit.

Jo më larg se të enjten në mbrëmje Hoxha shënoi në Ligën e Konferencës. Është titullar me ekipin e madh kroat dhe duket se plotëson të gjitha kushtet për të bërë Asanin e krahut të majtë në Kombëtaren kuqezi.

Miqësoret me Kilin dhe Suedinë do të japin më shumë informacion për këtë lojtar, sepse është edhe çështja e adoptimit me grupin. Trajneri Silvinjo do të mbajë shënime dhe pastaj do të vendosë, nëse Hoxha do të jetë pjesë e listës zyrtare të Euro 2024, apo jo.

Prurja më e fundit kuqezi mund të rindezë ndërkohë debatin për lojtarët që kanë pasaportë shqiptare dhe kosovare dhe vendosin të përfaqësojnë Shqipërinë. Arbër Hoxha ka lindur në Gjermani, në Heidelberg, më 6 tetor 1998.

Karriera e futbollistit 25-vjeçar është e ndarë mes Kosovës dhe Kroacisë. Ai ka luajtur për Istogun, Besën, Prishtinën dhe Ballkanin në Kosovë, ndërsa në Kroaci shkoi fillimisht te Lokomotiva e Zagrebit, pastaj kaloi te Sllaven Belupo e tani te Dinamo Zagreb.

Klubi i madh kroat nuk është nga ata që investojë kot, deri tani Hoxha i ka treguar vlerat në fushë me lojë dhe gola. Dhe Silvinjo ka shumë arsye pse joshet nga një lojtar i tillë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë