Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar të mërkurën se Kosova do të detyrohet të mbajë zgjedhje të “njëpasnjëshme” parlamentare, nëse partitë parlamentare nuk arrijë dakordësi për zgjedhjen e presidentit të vendit, kur kanë mbetur më pak se një javë nga mbarimi i afatit kushtetues për këtë çështje.
Kurti, i cili është njëherësh edhe kryetar i partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, tha për gazetarë se zgjedhjet e reja gjithashtu do t’i kushtonin vendit me humbje në vlerë dhjetëra milionë euro.
“Nëse shkojmë në zgjedhje të reja, nuk do të kemi zgjidhje, meqenëse sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, e pas atyre sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja. Unë nuk e di se si mund t’i kemi 80 deputetë, prandaj është e domosdoshme të merremi vesh”, tha Kurti.
Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy raundet e para të votimit, apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.
Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti – madje as ajo në pushtet e Kurtit me 57 deputetë – nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende.
Një afat kushtetues për zgjedhjen e presidentit skadon më 28 prill dhe nëse deri atëherë nuk zgjidhet një president, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.
Deklaratat e Kurtit vijnë dy ditë pasi dështuan bisedimet mes tij dhe liderëve të dy partive kryesore opozitare, Bedri Hamzës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila ka 22 ulëse, dhe Lumir Abdixhikut të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që mban 15 ulëse.
Gjatë bisedimeve të hënën në Prishtinë, Kurti i kishte ofruar LDK-së së Abdixhikut postin e zëvendëskryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri Ministri të tjera të paspecifikuara.
Në një ofertë tjetër, Kurti i kishte ofruar LDK-së postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Që të dyja këto oferta u hodhën poshtë nga Abdixhiku.
Ndërkohë, në të njëjtën ditë, pas dështimit të marrëveshjes me Abdixhikun, kreu i PDK-së Bedri Hamza e hodhi poshtë si “joserioze” ofertën e Kurtit që partia e tij ta ketë kryeparlamentarin në një dakordësi me LVV-në.
Abdixhiku tha se nuk do të takohej më me Kurtin, ndërsa Hamza e quajti të “përfunduar” kontributin e partisë së tij për çështjen e presidentit.
Nuk është e qartë se si Kurti mund t’i bindë ata të rikthehen në tryezën e bisedimeve para se të mbarojë afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. Në komentet e tij të mërkurën, Kurti nuk shpjegoi nëse do t’i kontaktojë sërish ata.
Ndërkohë, pasi Vjosa Osmanit i mbaroi mandati në fillim të muajit dhe vendi nuk arriti ta emërojë zëvendësuesin e saj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u emërua ushtruese e detyrës së presidentit më 4 prill.
Edhe vetë Haxhiu u ka bërë thirrje partive për arritjen e një konsensusi për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Përpjekjet e mëparshme për presidentin e ri të vendin dështuan pasi asnjëra palë nuk u duk e gatshëm të bëjë lëshime.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje