Politike

Kurti sfidon sërisht SHBA: Masa reciprociteti ndaj Serbisë

Edhe pse refuzimi për heqjen e taksës ishte ajo që çoi drejt rrëzimit të qeverisë, kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk ka bërë as edhe një hap pas nga qëndrimi i tij.

Ndërkohë që të gjithë duket se po i kërkojnë heqjen e plote te takses, Kurti sfidoi "armiqtë" e brendshëm dhe të jashtëm në një konferencë të përbashkët me ministren e Ekonomisë, Rozeta Hajdari duke deklaruar se qeveria e tij kishte vendosur masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Sipas, kryeministrit në detyrë, vendimi do të hyjë në fuqi sapo të marrë dritën jeshile nga të gjithë ministrat e qeverisë.

 “Unë i kam ftuar të gjithë anëtarët e kabinetit që ta votojnë këtë propozim-vendim dhe ai të jetë qysh sonte para mesnatës në fuqi. Ky vendim mbetet në fuqi deri më 15 qershor, kur ne do të bëjmë një vlerësim të situatës”, tha Kurti. Reciprocitetit vlen vetëm me Serbinë që do të thotë me Bosnje e Hercegovinën e heqim tarifën 100% pa asnjë shtesë tjetër”.

Pas deklaratës së Kurtit, Ambasada Amerikane në Prishtinë ka reaguar duke theksuar se kundërshton masat e reciprocitetit të vendosura nga Qeveria në detyrë e Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara ishin të qarta se Kosova duhet t’i heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja, sepse këto politika preknin qytetarët e  Kosovës dhe pengojnë ekonominë e vetë Kosovës. Vazhdojmë të kundërshtojmë vendimin e fundit për zbatimin e masave të reciprocitetit për mallrat nga Serbia”, thuhet në reagimin e Ambasadës Amerikës.

Deklarata e Ambasadës Amerikës thekson se këto masa po “krijojnë probleme në një kohën kur SHBA-ja beson se marrëveshjet për rikthimin e linjavd ajrore, hekurudhave dhe autostradë do të krijojnë kushtet e nevojshme për dialog të suksesshëm”.

Deklarata e Kurtit duket se erdhi si sfidë e drejtëpërdrejtë ndaj deklaratave të të Dërguartit Special të presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, por edhe presidentit Hashim Thaci dhe Lidhjes Demokratike, të cilët kanë kerkuar heqjen pa kushte të taksës. Grenell ka dalë kundër idesë së reciprocitetit me Serbinë dhe ka deklaruar në një intervistë me mediat në Prishtinë se vendimi më i mirë për qytetarët e Kosovës do të ishte pezullimi i menjëhershëm i kësaj takse. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe ambasadori Amerikan në Kosovë, Philiph Kosnett.

Kurti ka hequr tanimë taksën për lëndën e parë për importet nga Serbia, por per SHBA-në ky vendim është marrë thjesht për të fituar kohë, duke vonuar heqjen e plotë të taksës.

 Dogana e Kosovës ka theksuar nga ana tjetër se është e gatshtme të zbatojnë çdo vendim të Qeverisë në detyrë të Kosovës. Drejtori i saj, Adriatik Stavileci deklaron se Dogana pret udhëzimet nga Qeveria e Kosovë

Ambasadori Grenell dhe kryeministri Albin Kurti. Gazeta "Si" 2020

“Do ta respektojmë në maksimum vendimin për reciprocitetin”, tha ai.

Që nga heqja e taksës për importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, Stavileci tha se në Kosovë kanë hyrë mallra në vlerë prej rreth 1 milion euro.

Edhe pse mbrohet fort nga Kurti, tarifa doganore 100 për qind u vendos nga Qeveria e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në nëntor të vitit 2018. Ashtu si Haradinaj, edhe Kurti ka refuzuar të heqë plotësisht taksën ndaj importeve serbe, duke i cuar marrëdhëniet me SHBA-në në pikën më të ulët.  Richard Grenell dhe djali i presidentit amerikan Donald Trump kanë kërkuar tërheqjen e menjëhershme të taksës, duke e kërcënuar me anulimin  e investimeve ekonomike në Kosovë dhe largimin e prezencës ushtarake amerikane në Kosovë.

Ambasadori Amerikan në Kosovë Philip Kosnet deklaroi madje se ishte i kënaqur që Kuvendi po mbante seancën për shkarkimin e Kurtit.

“Jam i kënaqur të shoh që parlamenti do ta mbajë seancën mbi mocionin e votëbesimit. Siç i kam thënë kryeministrit Kurti sot, është e rëndësishme që parlamenti dhe të gjitha institucionet ta respektojnë Kushtetutën”, shkroi ambasadori Kosnett.

Albin Kurti e ka kërkuar reciprocitetin si masë kushtëzuese ndaj Serbisë që në vitin 2011, kur ishte në opozitë. Ai ka propozuar një rezolutë me 7 dhjetor 2011, në Kuvendin e Kosovës, e cila ishte miratuar me 42 vota dhe kërkonte që qeveria të vendoste masa reciprociteti të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë.

Sipas ekspertëve, reciprociteti në radhë të parë e nënkupton lëvizjen e lirë të qytetarëve,  hyrjen dhe daljen nga shteti i Serbisë në Kosovë dhe anasjelltas me pasaporta e jo të vazhdojnë kushtëzimet e njëanshme nga shteti i Serbisë për shtetasit kosovar vetëm me letërnjoftim, ndërkohë që shtetasit serb të kalojnë me pasaporta serbe në territorin e Kosovës.

Megjithatë, reciprociteti do të ketë kuptim vetëm nëse Serbia zbaton të njëjtat masa që ajo  aplikon ndaj Kosovës.

Mirëpo, pa një trysni të vërtetë ndërkombëtare, vështirë është të besohet që Serbia pa njohje paraprake do të zbatoje masat e reciprocitetit, pra pranimin e pasaportave dhe dokumenteve tjera me logon e Republikës së Kosovës.

Pra, reciprociteti duhet të jetë real e jo formal, siç ishte taksa 100 %, e shoqëruar me evazion të lartë fiskal dhe kontrabandë mallrash nga Serbia në Kosovë.

“Edhe po të vihet reciprociteti nga ana e Qeverisë Kurti, duhet të vëzhgohet me kujdesin maksimal zbatimi nga Serbia para vazhdimit të çdo dialogu me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së, për t’u siguruar që Kosova po hyn në fazën e njohjes nga Serbia, në të kundërtën zhgënjimi për qytetarët do të jetë i madh dhe pasojat për shtetin të pa llogaritshme”, thotë eksperti Florim Zeqa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë