Politike

U anashkalua në paktin me Serbinë, Kurti vë në pikëpyetje marrëveshjet e Thaçit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti konfirmoi përmes një reagimi në rrjetet sociale se nuk ishte vënë në dijeni për marrëveshjen e nënshkruar këtë të premte me Serbinë për projektet infrastrukturore, të lidhjes me hekurudhë dhe autostradë të Prishtinës me Beogradin.

Kurti thotë se dy marrëveshjet janë nënshkruar nga zyrtarë të autorizuar nga ish-ministri Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit të tyre është realizuar para ardhjes së tij në pushtet. Për këtë arsye, ai vë në pikëpyetje ligjshmërinë e dy akteve.

“Këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje. Për më tepër as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare”, shkruan ai.

Kryeministri i Kosovës thotë se e mbështet lidhjen infrastrukturore si të domosdoshme për zhvillimin e vendit dhe e vizionit europian për bashkëpunim rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, por jo mënyrën sesi është realizuar pakti i fundit me Serbinë.

“Është shumë me rëndësi që procesi të jetë transparent, rezultat i një negocimi të mirëfilltë dhe në respektim të plotë të sovranitetit dhe ligjeve të vendit, prioriteteve ekonomike dhe në harmoni me obligimet që dalin nga procesi i Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit”, shton ai më tej.

Kurti hamendëson se projekti i hekurudhës në Merdarë nuk është i mirëstudiuar nga pala e Kosovës.

“Nëse bazohemi te një version i marrëveshjes, po qe se analizohet për nga rëndësia ekonomike, hekurudha për në Leshak është më me prioritet dhe më e levërdishme sesa ajo për Merdare”, shprehet Kryeministri i Kosovës.

Në fund, ai nuk e përjashton mundësinë që Qeveria e tij ta rishikojë këtë marrëveshje.

“Në procesin e tranzicionit të qeverisjes, ne jemi duke analizuar të gjithë hapat që janë marrë në të kaluarën dhe ministritë përkatëse janë të angazhuara që këtë ta trajtojnë me prioritet”, e mbyll reagimin e tij Kryeministri i Kosovës, që ka premtuar se do të marrë vetë në dorë dialogun me Beogradin.

Për këtë arsye, Kurti i kërkoi Thaçit të konsultoheshin paraprakisht së bashku për të mbajtur një qëndrim të unifikuar gjatë konferencës së Mynihut, duke i vënë në dispozicion Presidentit jo një por tre orare të ndryshme për takim. Por, Thaçi e shmangu diskutimin me Kurtin, ku me shumë gjasa do të konsultoheshin edhe për marrëveshjen e hekurudhës dhe autostradës, duke u justifikuar se ishte nisur drejt Mynihut.

Rikthimi i fluturimeve direkte dhe ndërtimi i hekurudhave, që të dyja nisma të ndërmjetësuara nga amerikanët, është përparimi më i madh për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por Albin Kurti dhe qeveria e tij nuk janë përfshirë në asnjë nga këto zhvillime.

Kurti fluturoi këtë të premte në drejtim të Gjermanisë, ku do të marrë pjesë në një panel të përbashkët diskutimi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçic. Ndërkohë që Kurti ndodhej ende në Prishtinë, Thaçi, i cili ka udhëhequr deri më tani bisedimet me Serbinë në emër të Kosovës, premtoi rinisjen e dialogut dhe heqjen e taksës, vendime që duhet të miratohen të dyja nga qeveria.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë