Analize

Hekurudha me serbët – Rastësisht Thaçi e shmangu Albinin?

Konferenca e Sigurisë në Mynih është prezantimi i parë në skenën ndërkombëtare për kryeministrin Albin Kurti, por kreu i Vetëvendojes nuk e ka nisur me “këmbën e mbarë”.
Edhe pse premtoi “marrjen e timonit” të dialogut Kosovë-Serbi, gjasat janë që kryeministri Kurti të mos kenë qenë në dijeni të nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, ose të jetë vënë në dijeni në momentin e fundit.

Ditën e djeshme, Kurti i kërkoi Thaçit të konsultoheshin paraprakisht së bashku, për të mbajtur një qëndrim të unifikuar gjatë konferencës së Mynihut, duke i vënë në dispozicion presidentit jo një por tre orare të ndryshme për takim. Por Thaçi e shmangu diskutimin me Kurtin, ku me shumë gjasa do të konsultoheshin edhe për marrëveshjen e hekurudhës dhe autostradës, duke thënë se tanimë ishte nisur drejt Mynihut.

Rikthimi i fluturimeve direkte dhe ndërtimi i hekurudhave është përparimi më i madh për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por Albin Kurti dhe qeveria e tij nuk janë përfshirë në asnjë nga këto zhvillime.

Thaçi dhe Vuçiç firmosin për hekurudhën dhe autostradën Serbi-Kosovë, Gazeta Si, 2020

Përvec Thaçit, nga pala kosovare në Mynih janë duke negociuar vetëm dy zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, Xhemë Veseli dhe Ramë Qupeva. Lajmi për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, u bë publik që dje, por deri më tani qeveria Kurti ka vendosur të heshtë. Të njëjtin qëndrim po mban edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kurti sot është nisur për në Gjermani, ku do të marrë pjesë në një panel të përbashkët diskutimi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçic.

Ndërkohë që Kurti ndodhej ende në Prishtinë, Thaçi, i cili ka udhëhequr deri më tani bisedimet me Serbinë në emër të Kosovës, premtoi rinisjen e dialogut dhe heqjen e taksës, vendime që duhet të miratohen të dyja nga qeveria.

“I gjithë spektri politik i Kosovës do të punojë maksimalisht që të arrijmë një marrëveshje finale si dy vende të pavarura dhe sovrane mes Kosovës dhe Serbisë. Është fat që kemi një njeri dinamik (Richard Grenell) i mbështetur plotësisht nga Shtetet e Bashkuara”, tha Thaçi. Sikur të mos mjaftonte kjo, presidenti Thaçi u zotua po ashtu për heqjen e taksës brenda ditëve të ardhshme.

Nënshkrimi i marrëveshjes për rindërtimin e hekurudhave dhe autostradës Kosovë-Serbi vjen pas muajsh të tëra negociatash dhe takimesh diplomatike të udhëhequra Grenell.
Ndërkohë që Kurti dhe kreu i LDK-së Isa Musftafa ishin të zënë në tryezën e dialogut për formimin e qeverisë, Thaçi dhe Vuçiç duket se po negociojnë prej muajsh për normalizimin e marrëdhënieve.

Marrëveshja për rikthimin e fluturimeve Prishtinë-Beograd u nënshkrua ndërkohë që Kosova ishte pa qeveri. Por edhe tani që LDK-ja dhe Vetëvendosja formuan qeverinë, ai që vazhdon të ketë “timonin” e dialogut Kosovë-Serbi është Thaçi, të paktën tani për tani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë