Kosova

Kurti: Problemin e kemi me Beogradin, jo me serbët e Kosovës

Nga Gazeta 'Si'-Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria e drejtuar prej tij nuk ka problem me serbët e Kosovës, por me Qeverinë e Serbisë.

Duke folur në samitin “The Western Balkans 2024”, të martën në Prishtinë, Kurti tha se integrimi i serbëve të Kosovës në institucionet e vendit, është çështje parësore për të.

“Ballkani perëndimor është një vend me potencial popullata rezidentë me aspirata të përbashkëta ofrojnë përkundër dallimeve që kemi, jemi të zotuar, besojmë që përmes bashkëpunimit, Ballkani vërtetë mund të ketë përspektivë për Evropën. E duam integrimin e serbëve në Kosovë. Kemi 4 për qind të popullatës serbe këtu, por kemi edhe pakica të tjera që duam t’i respektojmë. Duam të bashkëpunojmë me komunitetet, të krijojmë republikë demokratike në bazë të qytetarëve. Nuk mendoj se duhet të jetë ndarje etnike.

Problemi nuk është me popullin e fqinjit verior, por me Qeverinë e Serbisë. Aspak me serbët e Kosovës që po integrohen. Problemin e kemi me Beogradin, i cili nuk u distancua as nga Millosheviçi i së kaluarës e as nga Putini i së tashmes", tha Kurti duke iu referuar ish-presidentit jugosllav dhe presidentit aktual rus.

Serbët në veri të Kosovës, të ndikuar nga Beogradi dhe strukturat e tij paralele në Kosovë, kundërshtojnë vazhdimisht autoritetin e Qeverisë në Prishtinë.

Shpesh organizojnë protesta ose bojoktojnë vendimet e autoriteteve kosovare.

Në nëntor të vitit 2022, ata dolën nga institucionet e Kosovës në veri, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së vendit për t'i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe.

Kurti tha të marën se Kosova po bën tashmë konvertimin e patenshoferëve, diplomave e targave të makinave, si hapa për integrimin e komunitetit serb.

Por, Qeveria e tij është nën presionin e ndërkombëtarëve për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia u dakorduan qysh në vitin 2013.

Marrëveshja mes tyre u miratua edhe në Kuvendin e Kosovës, por Gjykata Kushtetuese konstatoi më pas se ajo ishte jokushtetuese, meqë nuk përfshinte edhe etni të tjera.

Pavarësisht garancive nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, Kosova nuk e zbatoi marrëveshjen nga frika se një asociacion i tillë do të ndikonte në funksionimin e shtetit.

Serbia, e cila e konsideron Kosovën ende pjesë të veten, nuk ka zbatuar ngjashëm një varg marrëveshjesh me Kosovën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë