Kosova

Kurti pret njohjen e Kosovës nga Greqia: Dëshmi e rolit udhëheqës që duhet të ketë në rajon

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Greqia do të ishte dëshmi që Athina është e gatshme të luajë një rol udhëheqës rajonal në Ballkan.

Në një intervistë për gazetën greke “To Vima”, shprehet qartazi kundër shkëmbimit territorial me Serbinë dhe kundër ripërcaktimit të kufijve në Ballkan.

Kryeministri Kurti, i cili së fundmi ishte në Athinë për konferencën e “The Economist” dhe pati një takim të shkurtër me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, thekson se statusi i Kosovës është vendosur përgjithmonë dhe se dialogu me Beogradin ka të bëjë vetëm me marrëdhënien e ardhshme midis dy vendeve.

“Kosova dëshiron të ndërtojë mbi lidhjet historike midis popujve tanë dhe të forcojë marrëdhëniet vëllazërore afatgjata me Greqinë, një element i rëndësishëm i stabilitetit rajonal afatgjatë. Ne e vlerësojmë shumë mbështetjen e Greqisë, - tha Kurti. - Duke pasur parasysh peshën e Greqisë në rajon, si dhe frymën e bashkëpunimit në rajon, ne do ta mirëprisnim vendimin për njohjen e Kosovës. Njohja do të ishte dëshmi thelbësore e rolit udhëheqës në rajon që Greqia duhet të ketë. Marrëdhëniet ekonomike Kosovë-Greqi janë duke u forcuar”.

Kurti theksoi se Kosova është mirënjohëse ndaj Greqisë për mbështetjen e saj dhe qëndrimin pozitiv në proceset e integrimit si në rajon ashtu edhe Evropë.

“Ne e vlerësojmë shumë qëndrimin konstruktiv ndaj vendit tonë, qëndrim të cilin Greqia e ka dëshmuar përsëri me mbështetjen e dhënë në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Greqia duhet të jetë me popullin e Kosovës dhe të ofrojë mbështetjen e saj. Greqia dhe Kosova duhet të forcojnë marrëdhëniet e tyre të pavarura për shkak të historisë së gjatë të përbashkët, qëllimit të përbashkët të stabilitetit dhe paqes në Ballkan dhe të ardhmes së gjatë të përbashkët”, - shtoi kryeministri Kosovar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë