Analize

Kurti pranoi të firmosë Asociacionin, Vuçiç jo. BE i fajëson të dy. Kush po gënjen?

Nga Megi Iskurti- Takimet e së enjtes në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksander Vuçiç rezultuan sërish 'shterpë'.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së i cili ndërmjetëson bisedimet, Josep Borrell, pasi kofirmoi se tema e diksutimeve ishte propozimi i ri i diplomatëve perëndimorë për statutin e Asociacionit, ‘fajin’ për mungesën e përparimeve e atribuoi tek parakushtet që të dyja palët vendosën për njëra-tjetrën.

Por ndonëse Borrell në deklaratën e tij ‘i fshikullon të dyja palët’, referuar komenteve të Kurtit pas takimit, ishte presidenti serb ai që ka refuzuar të nënshkruante propozimin e BE për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe pavarësisht se nga pala kosovare ishte shprehur dakordësi.

“Kurti rikujtoi që ai ishte i gatshëm të nënshkruajë edhe në Bruksel më 27 shkurt 2023 edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe SHBA-ja për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike”, theksohet në deklaratën e Qeverisë së Kosovës e cila këtë e konsideroi ‘një ofertë gjeneroze’ të Kurtit që u refuzua nga Serbia.

Sipas Kosovës, Vuçiç ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore, me të cilën praktikisht zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor të këtij viti, gjatë vizitave të tyre në Prishtinë dhe Beograd.

“Pranimi nënkupton nënshkrim, vetëm nënshkrimi nënkupton pranimin dhe garanton zbatimin”, ka cituar Kurti në fund të takimit duke hedhur poshtë pritshmëritë e Vuçiç i cili para se të nisej për në Bruksel theksoi se Prishtina nuk do të ishte e gatshme që të nënshkruante për Asociacionin.

Mundësinë që Kosova do të pranonte nënshkrimin për marrëveshjen e Asociacionit e la të nënkuptohej edhe Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca i cili një ditë para takimit në Bruksel tha se propozimi i diplomatëve perëndimorë për krijimin e Asociacionit që i është dorëzuar qeverisë së Kosovës, “është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës” dhe nuk krijon një nivel të tretë pushteti.

Megjithatë, në deklaratën e tij pas takimeve maratonë, Vuçiç u shpreh se në takim “nuk u bë fjalë për nënshkrim apo mosnënshkrim të ndonjë gjëje”, por “për zbatimin e asaj që është nënshkruar dikur.”

Ndonëse i mëshonte idesë që Serbia është për zbatimin e të gjithë pikave që dikton Marrëveshja Bazë, ai tha se ata “nuk e pranojnë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara apo pavarësinë e Kosovës”.

“Serbia ka thënë qartë se dëshiron që të gjitha marrëveshjet të zbatohen, nga ajo bazë e vitit 2013 e deri te ato më vonë në Bruksel dhe Ohër, dhe ne gjithmonë kemi theksuar vetëm një gjë, e cila dihet – ajo është se Serbia nuk mund të pranojë anëtarësimin në OKB dhe as pavarësinë e Kosovës”, deklaroi ai.

"Serbia nuk do ta njohë Kosovën", citoi Vuçiç pas takimit

E enjtja në Bruksel e ka dikë që gënjen

Liderët e Kosovës dhe Serbisë, por edhe ata europianë që u angazhuan në bisedime intensive, (aq sa ishin gati të braktisnin edhe samitin e BE për të arritur një marrëveshje) ende nuk kanë thënë të vërtetat e bisedimeve me dyer të mbyllura për të shkuar drejt pajtimit dy vendet ballkanike.

Por me ato që është thënë publikisht, Albin Kurti që ishte gati të firmoste Asociacionin e Komunave Serbe, Aleksandër Vuçiçin që e pranonte Planin e ri Europian por nuk firmosi, dhe BE-në që i akuzon të dyja palët se vendosën parakushte për normalizimin e marrëdhënieve, në këtë histori është dikush që gënjen. Nëse njëra palë pranon planin dhe firmos, tjetra e pranon por nuk firmos, dhe i barazon Kosovën dhe Serbinë në këtë dështim, pyetja është se kush gënjen? Dhe aktorët në tryezë kanë qenë tre. A është Kurti? A është Vuçiç? A është BE?

“Askush nuk përmendi sanksionet ndaj Serbisë lidhur me sulmin në Banjskë”

Për sulmin e 24 shtatorit, që la të vrarë një polic kosovar në Banjskë, Kurti bëri përgjegjëse Serbinë dhe bëri thirrje për vendosje të sanksioneve.

“Pas sulmit të agresionit të 24 shtatorit, në Zveçan, prioritet për ne është siguria në Kosovë, në veçanti siguria e kufirit me Serbinë, meqë nga ana tjetër erdhën paramilitarët të cilët kryen sulm terrorist e kriminal duke vrarë e plagosur policë të Kosovës. Që kjo të mos përsëritet kurrë më, nevojiten sanksione dhe ndëshkim për Serbinë”, deklaroi ai i cili mandej theksoi se hetimet për grupin terrorist serb duhet të përcaktojnë saktë se si e ekzekutuan atë akt agresioni.

Por ndonëse sipas Kurtit nuk ka më dilema as te faktorët ndërkombëtarë mbi fajtorin, Vuçiç tha se askush në takime nuk përmendi "sanksionet kundër Serbisë" që do të lidheshin me sulmin në Banjskë.

Ai tha se zërat për sanksionet që mund t’i vihen Serbisë i ka dëgjuar “nga të tjerë” duke përjashtuar ndërkombëtarët.

Kurti dhe Vuçiç u pritën në takime të ndara nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Takimet u cilësuan si përpjekje për të ringjallur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Këshilli Europian do të diskutojë sot(27 tetor) për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë gjatë ditës së dytë të samitit të Bashkimit Europian (BE), pas një dite të ngjeshur me takime të shumta por të pafrytshme mes udhëheqësve të këtyre dy vendeve.

Gjatë takimit të sotëm të Këshillit, liderët e BE-së pritet të shprehin shqetësim për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, ta dënojnë sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në veri, të kërkojnë që përgjegjësit të sillen para drejtësisë dhe që Serbia të bashkëpunojë plotësisht në hetimin e rastit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë