Kosova

Kurti po përpiqet ta shtyjë me sa të mundet dialogun me Vuçiç

Ndryshe nga paraardhësit e tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të udhëheqë dialogun politik me Serbinë, por ka theksuar se do të këshillohet edhe me presidenten Vjosa Osmani. Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu thotë se presidentja dhe kryeministri kanë rënë dakord që të koordinohen për bisedimet me Serbinë, por thotë se peshën kryesore do ta mbajë Kurti. Por analistët shprehen të bindur se dialogu mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç nuk do të nisë së shpejti, pasi sipas tyre, kreu i qeverisë së Kosovës do ta shtyjë me sa të mundet.

Rrahman Paçarizi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës është i bindur se Albin Kurti është duke manovruar për të shmangur dialogun me Serbinë. Ai thotë se kryeministri synon ta zvarrisë dialogun deri pas zgjedhjeve lokale në Kosovë, që priten të mbahen në vjeshtë të këtij viti, në mënyrë që ta konfirmojë fuqinë e tij politike dhe rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Paçarizi thekson se Kurti ka nisur një betejë inteligjente, në mënyrë që të zbërthejë dialogun, duke e shndërruar atë nga temat politike në çështje më teknike. Megjithatë, siç thotë ai, bashkësia ndërkombëtare duket se e ka lexuar këtë manovër të Kurtit, duke i bërë thirrje të ulet sa më parë në bisedime.

“Zoti Kurti ka bërë një përparim, nëse mund ta quajmë kështu, duke i zbutur kushtet e tij për dialogun – nga kërkimi i faljes në pranim të krimeve të kryera në Kosovë e çështje të tjera, mirëpo këto janë manovrime, me të cilat zoti Kurti mundtë fitojë paksa kohë. Por, nuk mund të fitojë aq kohë sa ai llogarit se i duhet e që është të paktën deri në përfundim të zgjedhjeve lokale”, theksoi Paçarizi.

Profesor Paçarizi vlerëson se kryeministri i Kosovës, Kurti dhe presidenti i Serbisë janë ndër liderët me përkrahjen më të madhe popullore në vendet e tyre përkatëse dhe ata nuk kanë më hapësirë për t’iu shmangur vazhdimit të dialogut.

Për sa i përket Kosovës, sipas tij, pritet që të ketë një sinkronizim të veprimeve ndërmjet presidentes dhe kryeministrit lidhur me dialogun, gjë që sipas tij nuk ka ndodhur, më parë.. Por, ai thekson se që duke parë reagimin e ambasadave të huaja në Kosovë, shpresa e tyre për ta çuar përpara dialogun është presidentja Osmani, pasi kryeministri Kurti ka deklaruar disa herë se dialogu është vetëm në mesin e gjashtë prioriteteve dhe jo më prioriteti kryesor. Në këtë pikë, sipas tij, mund të komplikohet situata e ndërveprimit presidencë-qeveri.

“Fillimisht, nuk do të ketë fërkime, pasi që do të ketë një lloj sinkronizimi ndërmjet presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti. Mirëpo, fërkimet do të shfaqen në momentet kur dialogu do të hyjë në fazat përfundimtare dhe në momentet kur palëve do t’u paraqiten dokumente konkrete, pasi zoti Kurti në këtë fazë, pavarësisht nga mbështetja e madhe popullore që e k, nuk është i gatshëm që të hyjë në marrëveshje të rënda, të cilat do të mund ta dëmtonin”, theksoi Paçarizi.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Europian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka paralajmëruar se takimi i parë midis kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pritet të ndodhë brenda disa javësh.

Të mërkurën, presidentja e Kosovës, Osmani ka pritur në takim kryeministrin Kurti dhe disa nga drejtuesit e dikastereve qeveritare, ku diskutuan për nevojën e krijimit të mekanizmave të përbashkët koordinues në fushën e politikës së jashtme, sidomos për cështje që lidhen me politikën e jashtme. Edhe pse dialogu nuk i përmend në asnjë deklaratë publike, si Kurtit ashtu edhe Osmanit i është bërë e qartë nga ndërkombëtarët se ai duhet të jetë përparësia e dytë pas pandemisë.

Më 3 prill, kancelaria gjermane, Angela Merkel, e ka uruar Albin Kurtin për zgjedhjen e tij si kryeministër, duke i përmendur detyrat e rëndësishme dhe të rënda që e presin qeverinë e re, sikurse sundimi i ligjit, luftimi i krimit dhe korrupsionit, përmirësimi i situatës ekonomike dhe “veçanërisht, dialogu për normalizim me Serbinë”. Ndërkohë që Osmani këmbëngul se dialogu duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë, Kryeministri Kurti që të vendosen katër parime. Kreu i qeverisë thotë së para nisjes së bisedimeve, Serbia duhet të pranojë realiteti i Kosovës së pavarur, duhet të pranojë të vërtetën nga Serbia për krimet që ka kryer në Kosovë, të pranojë që të dyja palët duhet të jenë të barabarta në diskutim dhe që nga dialogu dhe nga marrëveshja finale të përfitojnë qytetarët.

Edhe pse nuk ka komentuar për kushtet e vendosura nga Prishtina, Vuçic ka theksuar këtë javë se është i gatshëm t’i përgjigjet ftesës së Brukselit për të vazhduar dialogun me Kurtin. Megjithatë, në shkurt të këtij viti, ai paralajmëroi se mund të pritet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me Bashkimin Europian, të bëjnë presion ndaj Serbisë për ta njohur Kosovën në periudhën e ardhshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë