Kosova

‘Kurti po nxit përplasje’, Opozita në Kosovë: Qëndrimet ndaj veteranëve janë skandaloze dhe fyese

Qëndrimet që ka mbajtur kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministri i brendshëm Xhelal Sveçla në lidhje me veteranët kanë ngjallur reagime të ashpra nga liderët opozitarë.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka kërkuar kreut të qeverisë të tërheqë “sejmenët” e tij dhe të lejë njerëzit të protestojë për të drejtat e tyre.

“Ato që dikur e ke shfrytëzuar si të drejta për vete, mos provo t’ua ndalosh të tjerëve. Nuk ta kanë fajin veteranët, as shoqëria civile, as mediat, as gazetarët e as opozita! Fajin e ke vet që nuk po qeverisë me vendin, por po mundohesh ta sundosh atë,” ka shkruar Haradinaj.

Ndërsa për kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Kraniqi, postimi i Sveçlës ishte skandaloz dhe fyese ndaj veteranëve dhe gazetarëve teksa po kërkon përplasje.

“Përmes një deklarate skandaloze dhe fyese ndaj veteranëve dhe gazetarëve, nxitëse mbi të gjitha – Qeveria e Albin Kurtit po kërkon përplasje.Vetëm një Qeveri e dështuar, e papërgjegjshme dhe pa fijen e ndërgjegjes, përmes veprimeve të saj, kërkon dhunë në mesin e popullit të saj,” shkruan Krasniqi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se deklaratat e Sveçlës ishin të pamatura, nxitëse dhe ofenduese, teksa kërkoi shkarkimin e tij.

“Sot, mbi të gjitha na duhen politikanë që distancohen nga një mendësi primitive e tillë. E mendësia e tillë meriton veçse shkarkim. Asgjë më pak,” shkroi Abdixhiku.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të shtunën se trajtimi i veteranëve të luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të zgjidhet me një ligj të ri dhe mbështet ofrimin e sa më shumë përfitimeve për këtë kategori, por ato përfitime nuk janë pagë.

Ai i bëri këto komente mes reagimeve për mospërfshirjen e veteranëve në ligjin për pagën minimale, i cili u miratua dy ditë më parë në parlamentin e Kosovës.

Pensioni i veteranëve, sipas ligjit mbi këtë kategori, është i barabartë me pagën minimale në vend, por në ligjin që u miratua në lexim të dytë të enjten në mbrëmje nuk është përfshirë edhe rritja e pensioneve të veteranëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë