Kosova

Kurti ‘përplaset’ me Bërnabiç në Londër: Vendi im quhet Republika e Kosovës, jo ‘Kosova e Metohija’

Nga Gazeta ‘Si’- “Ne jemi Republika e Kosovës dhe jo 'Kosova e Metohija'. Jemi shtet i pavarur dhe njihemi anembanë botës”, iu kundërpërgjigj Kurti kryeministres serbe Ana Bërnabiç pasi ajo përmendi termin ‘Kosova e Metohija’.

“Serbia po ndryshon. Dhe kur them Serbia qendrore, është e dyta herë që po e them këtë, mendoj Serbinë që nuk përfshin në statistika krahinën autonome të Kosovës e Metohisë, që ne natyrisht e shohim si pjesë të Serbisë. Kjo është politikë, ne tani po flasim për ekonomi dhe është me rëndësi për mua të flas vetëm për ekonominë”, tha ajo në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor, që po mbahet në Londër.

I pyetur sesi Prishtina zyrtare tregton me vendet që nuk e njohin, Kurti i është përgjigjur menjëherë kryeministres Brnabiç duke i kujtuar se kur bëhet fjalë për Kosovën, flitet për një shtet të pavarur dhe kjo krahinë autonome.

"Pikë së pari, partneri ynë kyç është bashkësia europiane dhe dëshirojmë që ta fuqizojmë këtë bashkëpunim. Kosova është njohur nga 117 vende anë e mbanë botës, 22 nga 27 në Europë, 26 nga 30 në NATO dhe 3 nga 4 vendet fqinje. Nuk kemi lidhje me Federatën Ruse.

Iu kemi vënë sanksione atyre dhe duam që Ukraina ta fitojë këtë luftë. Na duhet bota dhe Europa demokratike që ta shohim të mposhtur Kremlinin dhe kryetarin despotik, Putin. Edhe nëse ata do të donin, ne nuk do të donim të kishim punë me ta. Kemi pak import me Kinën, por bashkëpunojmë kryesisht me BE-në”, tha Kurti.

Gjatë numërimit, Bërnabiç kundërshtoi menjëherë dhe paralajmëroi të pranishmit se Kurti nuk po tregon të vërtetën për numrin e vendeve.

Më tej Kurti u shpreh se po t’i referohej Kosovës me “Metohija” sipas argumentit të Bërnabiç do duhej t’i referohej edhe Serbisë më ndryshe.

“Vendi im quhet Republika e Kosovës, jo si i është referuar këtu ‘Kosova e Metohija’. Po të shkoja në këtë rrugë, do të merrja shumë kohë, pasi përveç se Serbia do të duhej të thosha Serbia e Vojvodina, Sanxhaku, Toplica, Rashka dhe Lugina e Preshevës. Më mirë të përqendrohemi në ekonomi”, tha Kurti ndërsa shtoi se Kosova ka përparuar sa i përket zhvillimit ekonomik.

Ai shtoi se Prishtina ka shërbyer për stabilitet rajonal e institucional dhe tha se Republika e Kosovës ka ditur mjaft mirë t’iu bëjë ballë rreziqeve të sigurisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë