Kosova

Kurti kundër SHBA: Në Kosovë nuk mund të ketë Asociacion njëetnik

Pas takimit Kurti-Vuçiç në Bruksel, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Kosovës të punojë për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Veri, një kërkesë kyçe e Serbisë për rifillimin e dialogut. Ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett tha të mërkurën se Kosova e ka detyrim të themelojë Asociacionin, për të cilin ka nënshkruar edhe një marrëveshje në Bruksel.

“Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara me të vërtetë besojnë se Kosova ka një detyrim për ta formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Historia nuk filloi në ditën kur u formua Qeveria e Kurtit, dhe ne besojmë se vendet kanë detyrimin t’i respektojnë marrëveshjet dhe zotimet e bëra më parë… Unë e di që disa njerëz kanë thënë që ne kemi bërë mjaft kompromise, i takon dikujt tjetër të bëjë kompromis. Nuk është një mënyrë shumë produktive për të ecur përpara”, deklaroi Kosnett.

Megjithatë, kryeministri Kurti ka hedhur poshtë kërkesën e SHBA-së duke thënë se Kurti është shprehur se Kosova e ka një asociacion të komunave që është funksional.

Në një përgjigje të prerë ai shton se Kosova nuk mund të ketë asociacion mbi baza etnike.

“Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë në Kushtetutën e Kosovës. Dhe praktikisht një gjë të tillë e ka thënë edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i publikuar me 23 dhjetor të vitit 2015”, u shpreh kreu i qeverisë për kp.

Albin Kurti shtoi gjithashtu se kërkesa të tilla po vijnë nga politikanët dhe fqinjët veriorë të Kosovës, (Serbia).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë