Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka krahasuar zgjedhjet e 14 shkurtit me referendumin e 1991-s kur Kosova voti pro shpalljes së pavarësisë nga Jugosllavia.
“Në vitin 1991 ne kishim referendumin për pavarësi. Atëherë dolëm Krejt dhe vendosëm Drejt duke votuar masivisht për pavarësinë e vendit sepse e dinim vlerën e secilës votë. 30 vjet më vonë jemi përballë një referendumi të dytë për të vendosur për të ardhmen tonë”, ka thënë Kurti në një video të postuar në Facebook.
Kandidati i VV-së për kryeministër ka thënë se “dy dekada të keq-qeverisjes dhe korrupsionit, papunësisë e padrejtësisë, duhet të marrin fund me 14 shkurt.
Kandidati për kryeministër dhe ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani, e cila në këto zgjedhje garon si pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje, kanë takuar të mërkurën qytetarët e Prizrenit.
Përveç aktivistëve, ata morën përkrahje edhe nga kryetari i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Zijadin Sela dhe ai i Alternatives, Afrim Gashi, të cilët morën pjesë në aktivitetin e zgjedhor, duke diskutuar për nevojën që shqiptarët në të dyja anët e kufirit të mund të kenë zhvillim të përbashkët.
Përmes politikanëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Kurti u bëri thirrje shqiptarëve atje, të cilët kanë shtetësinë e Kosovës, të votojnë.
“Do të fillojmë përgatitjen e projektit që lidh Prizrenin me Tetovën me tunel, sepse siç thuhet Prizreni dhe Tetova lart në qiell kanë qenë një qytet, por kur kanë rënë në tokë malet e Sharrit i kanë bërë dy dhe ne duhet t’i lidhim sërish. Nga keqqeverisjet e viteve të fundit Prizreni është diskriminuar më së shumti nga të gjitha komunat e Kosovës sa i përket buxhetit dhe kjo do të ndryshojë menjëherë me qeverisjen tonë të re”, tha Kurti.
Ndërsa Vjosa Osmani tha se më 14 shkurt duhet të ndodhë një referendum qytetar për zhdukjen e klasë së vjetër politike.
“Referendumi duhet të ndodhë dhe në mënyrë që ai të ndodhë kemi nevojë për pjesëmarrje dhe përkrahje të madhe për ndryshimin, na duhet që çdo qytetar të dalë në votim, sepse nëpërmjet votës së tyre ata do të përcaktojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe të brezave që vinë”, tha Osmani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.