Kosova

Kurti: Kontrabandën do ta parandalojmë. Bërnabiq: NATO dhe KFOR të reagojnë urgjentisht

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se aksioni në disa lokacione të Kosovës, përfshirë edhe në veri të vendit, kundër kontrabandës ka përfunduar, duke u zotuar se “kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë”.

Ai bëri thirrje që qytetarët të mos “bien pre” e disa raportimeve të “disa mediave në Serbi”, që sipas tij duan ta politizojnë dhe etnizojnë këtë aksion.

“Këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale”, tha Kurti.

Ndërkohë Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare që të reagojë teksa Policia dhe Dogana e Kosovës njoftuan se po zhvillojnë aksion kundër kontrabandës në disa lokacione, përfshirë edhe komunat në veri të vendit.

“I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare, NATO-s dhe KFOR -it, që të reagojnë urgjentisht dhe të ndalin (v.j. kryeministrin e Kosovës) Albin Kurtin. Situata është më se dramatike dhe ky është momenti i fundit në të cilin është i nevojshëm një reagim i qartë për të ndaluar politikën e çmendur të ndjekur nga Prishtina. Kjo lloj sjelljeje ka tejkaluar çdo masë dhe na çon në prag të kaosit”, tha Bërnabiq përmes një komunikate për media.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë