Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas dekretimit të dorëheqjeve të prokurorëve serbë, ka kërkuar që edhe çështja e dorëheqjes së gjyqtarëve serbë të marrë një epilog të ngjashëm me atë të prokurorëve serbë.
“Sot, teksa pritëm që Këshilli Gjyqësor i Kosovës të vepronte njësoj, kuptuam se mbledhja dështoi në mungesë të kuorumit. Presim që në mbledhjen e radhës të marrë një epilog të tillë edhe kjo çështje”, deklaroi Kurti.
Ai shtoi se braktisja e organizuar dhe politikisht e motivuar nga pjesëtarë të komunitetit serb në fund të vitit 2022 ishte pikënisje e një serie veprimesh sabotuese ndaj shtetit.
“Qysh atëherë e kemi thënë dhe u kemi bërë thirrje të gjithë serbëve në institucione: ‘Mos i braktisni ato’, ‘mos jepni dorëheqje’, ‘mos shkoni’. Por nuk ju kemi thënë dhe as nuk kemi të drejtë t’ju themi: ‘Kthehuni’. Kishim të drejtë politike t’ju themi ‘mos shkoni’, por nuk kemi të drejtë kushtetuese dhe ligjore t’ju themi këtë. Largimi i tyre ka qenë akt politik, individual, ndonëse i organizuar”.
Dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë nga institucionet e drejtësisë në veri të Kosovës ndodhën në nëntor të vitit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës.
Ky vendim erdhi pas mosmarrëveshjeve rreth zbatimit të vendimit për targat e automjeteve dhe u cilësua nga institucionet e Kosovës si një veprim i organizuar dhe i motivuar politikisht.
Pas një periudhe jashtë sistemit të drejtësisë, disa gjyqtarë serbë kërkuan tërheqjen e dorëheqjeve dhe rikthimin në pozitat e tyre të mëparshme. Kjo çështje iu dërgua për shqyrtim Këshillit Gjyqësor të Kosovës, i cili duhet të vendosë për kërkesat e tyre.
Ndërkohë, dorëheqjet e prokurorëve serbë tashmë kanë kaluar në një fazë tjetër, pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës i kishte trajtuar kërkesat e tyre për rikthim, ndërsa më pas dekretimi i dorëheqjeve u bë nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë të enjten ka kërkuar nga të gjithë faktorët politikë në vend që të shmangin çdo lloj ndërhyrjeje në KGJK gjatë procesit të trajtimit të kërkesës së gjyqtarëve të dorëhequr serbë për t’u rikthyer në funksionet e tyre të mëparshme në institucionet e drejtësisë në veri të vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje