Kosova

Kurti kërkon nga Greqia njohjen e Pavarësisë, Athina forcimin e marrëdhënieve ekonomike

Greqia është e interesuar që të forcojë marrëdhëniet ekonomike me Kosovën, por nuk jep asnjë shenjë në lidhje me njohjen e Pavarësisë së saj.

Shefja e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë, Chryssoula Aliferi u takua këtë të enjte me Kryeministrin Albin Kurti.

Përfaqësuesja greke i dorëzoi Kurtit një letër falënderimi të Kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis për urimin që Kurti i ka bërë atij me rastin e 200-vjetorit të revolucionit grek.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë këtij takimi, Kurti i vlerësoi lart marrëdhëniet me Greqinë dhe angazhimin e saj për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, siç ishte rasti me anëtarësimin në BERZH.

Kryeministri Kurti po ashtu kërkoi që të zgjerohet dhe të thellohet edhe më tej bashkëpunimi bilateral dhe që Greqia t’i bashkohet bllokut të vendeve që e kanë njohur Kosovën.

Ndërkohë, Aliferi e informoi Kurtin për ftesën që Greqia i ka bërë ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla për të vizituar Greqinë. Duke folur për marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, shefja e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë potencoi faktin se javën që vjen virtualisht do të mbahet forumi i tretë ekonomik mes Greqisë dhe Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë