Kosova

Kurti kërkon deklaratë paqeje: Serbia të zotohet se nuk do të na sulmojë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka kërkuar sërish të premten që Prishtina dhe Beogradi të bëjnë një deklaratë të përbashkët paqeje, duke i kërkuar Serbisë të zotohet se nuk do të sulmojë Kosovën.

Kreu i qeverisë së Kosovës i ka bërë deklarata në samitin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Vjenë.

Ai ka propozuar që Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë menjëherë një marrëveshje të përbashkët paqeje duke u zotuar se nuk do të sulmojnë njëra-tjetrën, por kjo nuk është pranuar nga kryeministrja serbe.

“Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi”, ka propozuar mes të tjerash Kurti.

Kosova është përfaqësuar nga kryeministri Kurti, Shqipëria nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, Serbia nga kryeministrja Ana Brnabic, Bosnja nga kryesuesi i Këshillit të Ministrave, Zoran Tegeltija, Maqedonia e Veriut nga kryeministri Zoran Zaev dhe Mali i Zi nga kryeministri Zdravko Krivokapic.

Kurti ka thënë se Kosova po e menaxhon mirë pandeminë e koronavirusit dhe ka kërkuar që Bashkimi Evropian të vendosë Kosovën në mesin e vendeve të sigurta.

“Mesatarisht kemi më pak se një person të infektuar në ditë për 100 mijë banorë dhe më pak se 10 raste aktive në 100 mijë banorë”, ka thënë Kurti përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Kurti ka thënë po ashtu se përgjatë samitit, ka kërkuar liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës si dhe ka propozuar që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të kalojnë nga CEFTA në SEFTA (Marrëveshja Evropiane për Tregti të Lirë me Evropën Juglindore).

Ai e ka bërë këtë kërkesë edhe në raundin e fundit të dialogut të zhvilluar më 15 qershor në Bruksel.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë