Kosova

Kurti: Kam draft-vizion për Asociacionin Serb, sipas modelit kroat. Mund ta thelloj nëse ka dakordësi

Nga Gazeta 'Si' - Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në seancën e Kuvendit të enjten, duke folur për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, tha se ka propozuar një draft-vizion.

Para deputetëve, ai theksoi se për ta thelluar atë fillimisht duhet pajtimi në parim nga pala tjetër.

Këto deklarata ai i bëri pasi u pyet nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, nëse ka filluar puna për hartimin e draftit të Asociacionit dhe nëse e ka formuar ekipin.

“Unë kam propozuar një draft-vizion për të zbatuar nenin 7 të marrëveshjes bazike e në lidhje edhe me nenin 10, për të cilin nuk kam pranuar së pari aprovimin e palës tjetër që s’e pranoi fare dokumentin e më pas edhe të Brukselit zyrtar që vazhdon ta konsiderojë këtë çështje të hapur. Për informacionin tuaj, përbërja e ekipit menaxhues është ndryshuar tri herë nga Qeveritë respektive të asaj kohe”.

Ai tha se është inspiruar nga modeli i Kroacisë për tri arsye.

“E para; Kroacia ka dalë nga lufta gjatë shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë sikurse Kosova. E dyta; për shkak se Kroacia është shembull suksesi i vendit anëtar në BE dhe NATO. E treta; për shkak se Serbia e ka një marrëveshje tashmë me Kroacinë për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe ku përfshihen edhe të drejtat e pakicave kombëtare.

Pra, si duket e kam dhënë vizionin. Ai është dy faqe dhe është publik dhe të gjithë mund ta lexojnë atë. Unë këtë mund ta thelloj, por thellimi i kësaj nënkupton pajtueshmëri në parim. Pra, kur të pajtohemi në parim, përfshirë edhe ato shtyllat që i kam thënë në Ohër më 18 mars, atëherë lirisht mund ta thellojmë tekstin, por nuk mund të shkruajmë tekste alternative ndërmjet të cilave mund të gjendet mesatarja aritmetikore pa u pajtuar njëherë në pajtim”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë