Politike

Kur Rama dhe Basha “gjuajnë” bosh në kohë lufte

Ai, i ulur në karrigen e kryeministrit, u gajas pa masë kur rivali i tij politik, Lulzim Basha, vetëm pak metra larg tij nga podiumi i Kuvendit, në një debat për incerneratorët, tha: “7X7=42”. “49”, - ia behën deputetët nga salla.

I zënë jo pak në siklet e duke sqaruar aty për aty se kishte parë numrin 6 dhe jo 7, Basha u tulat më thellë. ”…49+36 bëjnë 95…(hilaritet nga salla)… Bëjnë 85”.

Kaq mjaftoi që për tre vjet rresht, kryeministri Edi Rama ta etiketojë atë si njeriun që nuk di as tabelën e shumëzimit, e jo më të sjellë të djathtën në pushtet…

Foto; Rama dhe Basha ne Kuvend, para se PD te largohej nga Parlamenti

Replikat …

…Edhe pse i shtriu dorën për marrëveshjen e 17 majit, Edi Rama (kur ia do situata politike) risjell të njëjtën qasje tallëse ndaj Lulzim Bashës, me synimin se, ndofta impakti i asaj që thotë është më i madh sesa përmbajtja.

Rama ftoi Bashën (ashtu si edhe Metën) në fillim të epidemisë që të gjenin bashkë një zgjidhje, por nuk pranoi asnjë “presje” të paketës me 8 pika që Lulzim Basha paraqiti më 11 mars të këtij viti.

“Mirë virusi, e mirë gjithë ky mal me halle mbi kokën e popullit, por s’të lë as 7X7=42-shi me masat fantastike që i përsërit duke folur në gjumë… Fli o xhan fli se të erdhi dita…”, cicëron Rama në Twitter.

Për planin 8 pikash të Lulzim Bashës, Rama foli seriozisht vetëm në një dalje në  “Opinion”  të pak ditëve më parë, kur tha se, fatura e paketës së PD-së ishte e  papërballueshme.

“Plani i tyre është fiks 1 miliard e 177 mln euro... “.

Pak ditë më vonë, në të njëjtën studio, jep përgjigje edhe Basha.   

“Fatura jonë financiare shkon në 90 mln euro në muaj”. 

Tonet mes tyre fillojnë e rriten kur Lulzim Basha (pas disa ditësh qetësie) flet për një tjetër çështje delikate, Aktin Normativ të qeverisë për qiratë, që sipas tij, do të sillte ndasi tek shqiptarët. Një qëndrim jo fort etik në fakt për mendjet e nxehta në këto kohë virusi.   

Çfarë bën Rama? Atë që ka bërë “mot-a-mot” ndaj kundërshtarit.

“Honxhobonxhoja është dikush që jo vetëm nuk ndryshon mendim përballë faktit, por nuk ndryshon as argument”, - citon ai një fjalë të mençur.

Beteja e tretë e opozitës në këtë kohë pandemie lidhet me strategjinë e testimit. Lulzim Basha po i mëshon fort këtij debati që e lidh me numrin e pakët të testimeve në vend. Sipas tij, kjo situatë mbi të gjitha do ta zgjaste edhe më shumë karantinën në vend.

“…Strategjinë e testeve e bën Komiteti Teknik i Ekspertëve dhe PIKË!...”, ndërhyn Rama në Twitter.

Jo vetëm. Ai e kanalizon statusin e Bashës thjesht në një njeri me iniciale, pa peshë politike; “Nqs Komiteti Teknik do thoshte 2000 teste në ditë do kishte 2000 në ditë! LBPD vazhdon ia fut kot.PIKË!”

Basha, jo pak i kompleksuar nga “hiletë” e Ramës lëshon një taborë me njerëz, nga Bardh Spahia e deri tek Enkelejd Alibeaj se, Rama po mashtron për testimet, duke iu referuar qëndrimeve për të njëjtën cështje të ministres së Shëndetësisë dhe vetë Komitetit të Ekspertëve.

Kreu i PD, Lulzim Basha dhe Kryeministri Edi Rama gjatë një debati parlamentar para se opozita të braktiste Kuvendin

Ad hominem

Shprehja e vjetër latine “kundër njeriut” ka po aq vlerë sa edhe sot në politikë. Pra, kur polikanët i referohen më shumë sulmit ndaj kundërshtarit sesa çështjes që kërkon diskutim.

Mjeshtërisht e fillon Rama këtë lojë duke shkëputur një fjali krejt nga konteksti të kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, në një dalje televizive: “Besoj se shqiptarët janë mjaftueshëm të stresuar për të më dëgjuar mua të flas nga mëngjesi deri në darkë broçkulla…”.

Vonon vetëm pak ditë PD. Ndoshta kjo formë ka impakt më të madh tek audienca virtuale. Dhe çfarë bën?

Edi Paloka gjurmon fjalën e Edi Ramës më 2 Mars në Kuvend; “…Mos u alarmoni nga infodemia që flasin vetëm për vdekje dhe fundin e botës. Fundi i botës nuk po afron dhe koronavirusi nuk po kërcënon…”. Paloka (përmes një video) përplas copëza të fjalës së fillim marsit me qëndrimin e sotëm të Ramës se, “…kjo është një mortje që na ka rënë rrufe mbi kokë jo ne, por i ka rënë tërë planetit dhe kërcënon të na grijë si mish qeni…” 

Rama dhe Basha pas marrëveshjes së 17 najit

Në vend numëro

Nëse mendoni se ka ndryshuar diçka në mënyrën e të bërit politikë si djathtas ashtu edhe majtas edhe në këtë kohë virusi, gaboheni. Palët po degradojnë t’i bien të njëjtës qemane.  Me qendrime të pakujdesshme, apo më saktë të pastrukturuara e të kthyera aty për aty. Ku, njëra palë flet veçse për korrupsion tenderash, për sekrete shtetërore (nëse janë të tilla) që duhen zbardhur tani (pasi koha nuk pret), për përplasje civile, për vdekje nëse s’ka më shumë teste, për anulim koncesionesh (pa marrë parasysh pasojat), e ku pala tjetër (në këtë rast) Rama e kanalizon debatin krejt pa bërthamë kur flet për; “Lule korone; vaj për kandilin e trurit; mushka; gjumashë; honxhobonxho, gjynahqarë…” …etj., etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë