Përballja e skuadrave nga kontinetet e ndryshme në Kupën e Botës pa asnjë diskutim që përbën një element shumë interesant për t’u parë. Por fakti që dy skuadra europiane, Franca dhe Kroacia kanë prerë biletat e tyre për në finalen e Kupës së Botës, nuk mund të jetë shkak për zhgënjim.
Për shkak se sipas të dhënave që bën publike Fifa.com përballjet finale mes skuadrave evropiane në finalet e Kampionatit Botëror, kanë rezultuar ato më spektakolare.
Ne do të bëjmë një pasqyrim të këtyre 8 finaleve që janë konsideruar si nga më emocionueset e ndeshjeve në kampionatin botëror.
Finalja e 1934: Itali-Çekosllovaki 2-1
U desh koha shtesë për të kurorëzuar ekipin e parë europian që fitoi Kupën e Botës, me Angelo Skiavio që siguroi trofeun për Italinë në botërorin e shtëpisë. “Axurrët” e fituan me rezultatin e ngushtë 2-1 atë ndeshje, përballë një Çekosllovakie shumë të fortë dhe teknike. Botërori i vitit 1934 është i vetmi që në finale të dyja ekipe kanë pasur si kapiten portierët.
Finalja e 1938: Itali-Hungari 4-2
Xhino Kolausi dhe Silvio Piola me dy golat e tyre i dhanë fitoren Italisë që mundi Hungarinë fantastike. Italia e vitit 1938 është e vetmja skuadër që ka fituar Kupën e Botës duke pësuar gol në çdo ndeshje të luajtur në kampionatin botëror.
Finalja e 1954: Gjermani Perëndimore-Hungari 3-2
Hungaria fantastike e viteve 50’ e kishte mundur 8-3 Gjermaninë Perëndimore më herët në fazën kualifikuese, por dy gola të Maks Morlok dhe Helmut Ran e çuan trofeun e Kupës e Botës për herë të dytë në Gjermani. Disfata në finalen e këtij kampionati botëror ishte edhe humbja e një rekordi prej 30 ndeshjesh pa humbje për ekipin hungarez.
Finalja e 1966: Angli-Gjermani Perëndimore 4-2
Një tjetër finale europiane në kampionatet botërore ka qenë ajo mes Anglisë dhe Gjermanisë Perëndimore, ku “tre luanët” fituan për herë të parë Kupën e Botës.
Finalja e 1974: Holandë-Gjermani Perëndimore 1-2
Ashtu si në finalen e vitit 1954, Gjermania e kishte mësuar stilin se si mund të fitonte me një ekip që kishte në përbërje një brez të artë. E radhës që pësoi ishte Holanda e viteve 70’ me Krojf e shokë. Në këtë kompeticion, Gerd Myler fitoi Këpucën e Artë me 14 gola, që është ende një rekord për numrin e golave në një kampionat botëror.
Finalja e 1982: Italy – Gjermani Perëndimore 3-1
Me dy barazime dhe vetëm një fitore në fazën e grupeve, në fund Italia ia doli që të fitojë atë Kupë Bote në mitikun “Santiago Bernabeu” në Madrid. Në atë kampionat botëror, Italia theu dy rekorde njëkohësisht, me Dino Zof si lojtari më I vjetër që ishte 40 vjeç kur luajti në kampionat botëror, dhe Bergomin si lojtari më i ri që lunate në një kampionat botëror, i cili ishte vetëm 18 vjeç.
Finalja e 2006: Itali-Francë 5-3 me penallti
Me shumë siguri kjo është finalja më e paharrueshme e kupave të botës. Një Francë plot me yje dhe një Itali në krizë të fortë në futbollin e saj pas skandalit të Kalçopolit prodhuan një finale botërori epike. Në fillim ishte ai akt i Zidane kundër Matarazit dhe më pas gjuajtjet e penalltive që çuan në Itali kupën e katërt të botës.
Finalja e 2010: Holandë-Spanjë 0-1
Dy skuadra që nuk e kishin fituar asnjëherë këtë kupë, u përballën me njëra-tjetrën në finale në Afrikën e Jugut 2010. Holandezët vinin nga dy finale të humbura, ndërsa spanjollët ishin duke shijuar brezin e artë të futbollit të tyre. Në fund Kupa e Botës shkoi në Spanjë dhe ai që çoi për të tretën herë duarbosh në shtëpi holandezët ishte Andres Iniesta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.