Politike

Kur e viziton Rama Kosovën?

Vizita e parë e Edi Ramës si Kryeministër i Shqipërisë, në shtator të 2013-s ishte pikërisht në Prishtinë. Prej atij momenti ai e ka vizituar shumë herë Kosovën, zyrtarisht dhe jozyrtarisht. Përgjithësisht, vizitat zyrtare janë zhvilluar në momente delikate të Kosovës, me përjashtim të asaj të shkurtit 2017, ku mori pjesë për festimet e 10-vjetorit të Pavarësisë.

Në shtator të 2013-s, vizita e parë zyrtare jashtë Shqipërisë e Edi Ramës si Kryeministër i sapozgjedhur ishte Kosova, ku u prit nga Hashim Thaçi, që në atë kohë mbante postin e Kryeministrit të Kosovës. Gjatë kësaj vizite, ai mbajti një fjalim edhe para Kuvendit të Kosovës.

Vizita ishte më shumë simbolike dhe përforcim se Shqipëria do të vazhdonte t’i qëndronte në krah Kosovës, por që u shfrytëzua nga Edi Rama për të nisur në kapitull të ri në raportet vëllazërore, që siç deklaronte në atë kohë duhej të niste puna për heqjen e kufirit mes dy vendeve.

Vizita të ngjashme zyrtare i ndërmori edhe në 2014-n, në 2016 dhe në shkurt të 2017-s, kur vizitonte Kosovën me rastin e 9-vjetorit të Pavarësisë, ndërkohë që në Francë mbahej i arrestuar Ramush Haradinaj, që u ndalua mbi bazën e një urdhri arresti të nxjerrë nga Serbia që në 2004.

Rama e cilësoi ndalimin e tij si absurditet dhe kërkoi lirimin e mënjëhershëm të Haradinajt.

“Sot kërkoj edhe kthimin sa më të shpejtë të Ramush Haradinajt në shtëpi, pa të Kosova ka një mungesë, nga ana tjetër mungesa e tij është edhe një ftesë se sa shumë duhet të bëhet në funksion të raportit jo tonit, jo të Kosovës por të gjithë të tjerëve me luftën e lavdishme të UÇK-së”, deklaronte Rama.

Haradinaj u lirua dhe pak muaj më vonë u bë edhe Kryeministër i Kosovës. Rama rikthehej në Prishtinë në fund vjeshtën e 2017-s për ta takuar dhe pas takimit me të shigjetonte Bashkimin Europian për mosliberalizimin e vizave për Kosovën, duke i nxjerrë si pretekst demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Në Kosovë do të rikthehej me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë, ku me një fjalim të mbajtur në Kuvend në atë kohë, shkaktoi jo pak polemika. Rama vizitonte Prishtinën, pasi BE kishte refuzuar si hapjen e negociatave për Shqipërinë, ashtu edhe liberalizimin e vizave për Kosovën.

Para Kuvendit të Kosovës, Rama hodhi idenë që Shqipëria dhe Kosova të kenë një President të përbashkët, një politike të jashtme të përbashkët dhe ambasada të përbashkëta. Deklarata shkaktoi reagime jo të pakta në Perëndim dhe sidomos në Serbi.

Në 2019-n, fillimisht kriza e brendshme politike në Tiranë, ku opozita dogji mandatet dhe më pas tërmeti i 26 nëntorit kushtëzuan agjendën dhe prioritetet e Ramës, që zyrtarisht nuk e vizitoi Kosovën.

Por, në Prishtinë do të kthehej për vizitë në qershor të 2020, kur gjykata e posaçme sapo kishte konfirmuar akuzat për krime lufte ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe të tjerëve. Rama tha se vizita ishte “për nevoja emergjente kombëtare”, ndërsa akuzat ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve i cilësoi akuza “brutale” ndaj vetë Kosovës.

Rama akuzoi komunitetin ndërkombëtar për zbatimin e standardeve të dyfishta për gjykimin e të dyshuarve për krime lufte nga Serbia dhe Kosova.

Pak më shumë se një vit më vonë, Thaçi e të tjerët janë ende në gjykim në Hagë dhe procesi ndaj tyre ka nisur. Rama rikthehet të vizitojë Prishtinën, ku këtë herë e pret Albin Kurti. Situata në të cilën ndodhet Kosova vështirë mund të thuhet se është më e mirë se ajo që u gjend në momentin kur u zyrtarizua akuza ndaj Thaçit e të tjerëve. Vizita e gjen Prishtinën në rritje të tensioneve me Beogradin pas vendosjes së masës së reciprocitetit për targat nga ana e Qeverisë së Albin Kurtit.

Rama i dha të drejtë vendimit të Kurtit dhe kërcënimet me ushtri të Beogradit në kufirin verior të Kosovës i cilësoi shfaqje teatrale për qëllime propagande të brendshme të Serbisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë