Kombetarja

Kuqezinjtë myslimanë shtyjnë agjërimin për kombëtaren

Nga Gazeta Si - Nga data 23 mars, të gjithë besimtarët myslimanë në gjithë globin kanë hyrë në muajin e Ramazanit, muajin e madh të mëshirës, faljes dhe sakrificës së agjërimit, për të gjithë ata që munden. Sepse, sipas Kuranit, askush nuk është i detyruar.

Në këtë grumbullim të kombëtareve, që përkon me muajin e Ramazanit, në gjithë botën flitet edhe për agjërimin e lojtarëve. Edhe në grumbullimin e Kombëtares shqiptare ka rënë në sy kjo gjë.

Nga nje seance stervitore e kuqezinjve. Gazeta Si, 24 mars 2023

Te kuqezinjtë ka shumë lojtarë që në të shkuarën kanë respektuar fenë e tyre, duke agjëruar dhe duke vlerësuar këtë sakrificë, pavarësisht impenjimit maksimal me ekipet e tyre aq më tepër në prag të një aktiviteti kaq të rëndësishëm sa janë eliminatoret e Europianit.

Në këtë grumbullim të parë me trajnerin e ri Silvinjo, i vetmi që ka agjëruar që në ditën e parë (23 mars) ka qenë mesfushori sulmues i Sasuolos, Nedim Bajrami. Më 23 marsit trajneri zhvilloi një ndeshje kontrolli të “fshehtë” në “Elbasan Arena”, ku i vetmi që priti orën 18:01 për të çelur iftarin dhe për të shuar etjen, ishte pikërisht Nedim Bajrami.

Pjesa tjetër e lojtarëve janë pyetur nga stafi që në fillimin e ditës së agjërimit, nëse do ta mbanin apo jo. Shumica e tyre, Lenjani, Seferi, Ramadani, Asani dhe Cikalleshi, kanë deklaruar se do ta fillojnë këtë vit agjërimin me 29 mars, dy ditë pas takimit me Poloninë. Është ndeshja e parë eliminatore e Euro 2024, ndaj skuadrës më të fortë të grupit.

Në një situatë të tillë vështirësish që ka trajneri Silvinjo dhe ekipi, me shumë mungesa titullarësh dhe jo të gjithë të tjerët në formën optimale, duket se kuqezinjtë myslimanë kanë vendosur të sakrifikojnë për Kombëtaren, për ta respektuar fenë pas kësaj ndeshjeje të rëndësishme.

Një gjest vlerësimi, që tregon rëndësinë që të gjithë po i japin këtij takimi, duke lënë për në një moment të dytë agjërimin, që për çdo besimtarë mysliman është një moment i shumëpritur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë